RUSI – Peskov: Dërgimi i tankeve në Ukrainë nuk do të ndryshojë rezultatin e luftës

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

MOSKË, 9 janar /ATSH-DPA/- Vendimi i qeverive perëndimore për të dërguar tanke në Ukrainë vetëm do të zgjasë vuajtjet e popullit ukrainas dhe nuk do të ndryshojë rezultatin e luftës, deklaroi sot zëdhënësi i Kremlinit, Dimitry Peskov.

Deklarata e tij erdhi pasi Polonia tha se dëshironte t’i bashkohej vendeve të tjera për të formuar një koalicion të gjerë për të diskutuar eksportin e tankeve moderne të betejës, si “Leopard”, në Ukrainë.

Kremlini, i cili është përpjekur të minimizojë problemet e tij ushtarake në Ukrainë, tha se qeveria ruse nuk ishte e shqetësuar për dërgesat e mundshme të pajisjeve ushtarake më të sofistikuara.

“Në parim, këto dërgesa nuk mund dhe nuk do të ndryshojnë asgjë në Ukrainë”, tha Peskov, sipas agjencisë së lajmeve “Interfax”.

“Kjo nuk ka të bëjë vetëm me tanket e lehta franceze “AMX-10RC”, por me të gjitha furnizimet perëndimore të armëve”, tha Peskov.

Midis fuqive perëndimore, dërgesat e tankeve janë konsideruar deri më tani një çështje e ndjeshme, mes frikës se do të çojë në një përshkallëzim dhe një zgjerim të konfliktit.

Përveç Francës, Gjermania dhe SHBA-ja i kanë premtuar Ukrainës transportues të blinduar të personelit.

Në një ndryshim të madh të politikës këtë javë, kancelari gjerman, Olaf Scholz tha se Berlini do të sigurojë rreth 40 automjete luftarake këmbësorie “Marder”për ushtrinë ukrainase.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like