MOSKË, 1 tetor /ATSH-DPA/- Rusia nuk pret që NATO të ndryshojë kursin nën udhëheqjen e sekretarit të saj të përgjithshëm të ri Mark Rutte, tha sot zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, vetëm disa orë pasi ish-kryeministri holandez mori detyrën e shefit të NATO-s nga Jens Stoltenberg.
“Nën drejtimin e Rutte, nuk do të ketë asgjë të re apo të rëndësishme në politikën e aleancës”, u citua të thoshte Peskov nga agjencitë ruse të lajmeve.
Rusia ka pohuar vazhdimisht se e sheh sigurinë e saj të kërcënuar nga NATO. Moska tha gjithashtu se një nga arsyet për të zhvilluar luftën e saj kundër Ukrainës është që të pengojë vendin të bashkohet me aleancën e mbrojtjes perëndimore.
Peskov kujtoi se Rutte kishte mbajtur vazhdimisht bisedime me presidentin rus Vladimir Putin gjatë kohës së tij si kryeministër holandez dhe tha se kishte shpresë se mund të vendoseshin marrëdhënie të mira dhe pragmatike.
“Por, më pas u bë e qartë se Holanda kishte marrë një qëndrim mjaft kundërshtues, një qëndrim i përjashtimit të plotë të kontakteve me vendin tonë”, tha Peskov. //a.i//