Rrumbullaku: Do krijojmë një këshill të posaçëm për emërimet në Polici, ndryshime dhe në strukturat e hetimit të krimit

by admin
Spread the love

Emërimet e Policisë së Shtetit tashmë nuk do të jenë atribut vetëm drejtorit të Përgjithshëm. Muhamet Rumbullaku, i cili ka marrë së fundmi drejtimin e Policisë së Shtetit, ka bërë me dije se brenda pak ditësh do të ngrihen këshillat e shqyrtimit të propozimeve për emërimin në detyrë dhe ecurinë në karrierë të çdo punonjësi policie. Pra do të jenë këto këshilla që do të kenë përgjegjësi për të emëruar punonjës të Policisë në detyrë në të gjitha nivelet.

Në takimin që pati me oficerët ndërlidhës dhe përfaqësuesit e misioneve dhe programeve që asistojnë Policinë e Shtetit, Rrumbullaku tha se ndryshime do të ketë edhe te strukturat e hetimit të krimit, dhe në veçanti edhe për krimin e organizuar, me qëllim që të ketë sa më shumë rezultate.

“Synoj ndryshimin kryesisht të strukturave që merren me hetimin e krimit në përgjithësi dhe të krimit të organizuar në veçanti, si dhe krijimin e një strukture sa më efikase, me qëllim arritjen e rezultateve pozitive në këtë drejtim. Gjithashtu, dua t’ju bëj me dije se do të ndryshojë mekanizmi i menaxhimit të burimeve njerëzore. Brenda pak ditëve, në Policinë e Shtetit do të konstituohen këshillat e shqyrtimit të propozimeve për emërimin në detyrë dhe ecurinë në karrierë të çdo punonjësi policie, praktikë kjo që do t’i japë fund vendimmarrjes së deritanishme që ishte atribut vetëm i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për të emëruar punonjës të Policisë në detyrë në të gjitha nivelet”, tha Rrumbullaku.

Rrumbullaku ka theksuar gjithashtu se në çdo rast ku ka pasur punonjës policie që janë bërë protagonist të një ngjarjeje kriminale, do duhet të bëhet një analizë e thellë për të kuptuar edhe rolin që ka pasur drejtuesi.

“Nevojitet analizimi i rasteve dhe nxjerrja e përgjegjësive të drejtuesve në të gjitha nivelet e strukturave ku punonjës policie janë të përfshirë drejtpërdrejt në paligjshmëri, veprimtari kriminale dhe favorizim. Prioriteti im nuk është ndryshimi i emrave në krye të strukturave qendrore e vendore, por ndryshimi i filozofisë dhe i metodologjisë së punës dhe për të arritur këtë duhen domosdoshmërisht reforma ligjore, strukturore dhe arsimore”, tha Rumbullaku.

You may also like