Policia vendosi të evakuojë qytetin islandez Grindavik, pasi aktiviteti sizmik në zonë u intensifikua dhe u zhvendos në jug.
Monitorimi nga Zyra Meteorologjike Islandeze tregon se një korridor i magmës, ose shkëmbinj gjysmë te shkrirë, shtrihen aktualisht pikërisht nën qytet.
Qyteti ka 4 mijë banorë dhe ndodhet në gadishullin Reykjanes, rreth 50 kilometra në jug-perëndim të kryeqytetit, Reykjavik.
“Në këtë fazë nuk është e mundur të përcaktohet saktësisht nëse dhe ku magma mund të arrijë në sipërfaqe”, tha Zyra Meteorologjike në një deklaratë.
“Pas një ndërprerjeje 800-vjeçare, shpërthimet në Gadishullin Reykjanes filluan përsëri në vitin 2021, gjë që mund të shënojë një cikël të ri shpërthyes. Ne mund të shohim shpërthime vullkanike përgjatë gadishullit”, paralajmëron Matthew Roberts i Zyrës Meteorologjike Islandeze. Ai shton se kjo paqëndrueshmëri mund të zgjasë me dekada.
Autoritetet gjithashtu kanë ngritur alarmin ajror në portokalli, për shkak të rrezikut të shtuar të një shpërthimi vullkanik.
Shpërthimet vullkanike përfaqësojnë një rrezik të madh për avionët, sepse ato mund të lëshojnë hi shumë gërryes në atmosferë, me rrezikun e dështimit të motorit reaktiv, dëmtimit të sistemeve të kontrollit të fluturimit dhe një reduktim të ndjeshëm të dukshmërisë.
Një shpërthim i madh në Islandë në vitin 2010 – ai i vullkanit Eyjafjallajökull – shkaktoi përçarje të gjerë midis Europës dhe Amerikës së Veriut me anulimin e më shumë se 100,000 fluturimeve. Linjat ajrore pësuan rreth 3 miliardë dollarë dëme.
Evakuimi i Grindavikut u vendos, pasi qindra tërmete të vogla u regjistruan në zonë për më shumë se dy javë.
Shqetësimi për një shpërthim të mundshëm u rrit në orët e para të së enjtes, kur pati një tërmet me magnitudë 4.8 ballë.
Edhe Laguna e famshme Blu – zona gjeotermale e cila është një nga vendet më të vizituara në Islandë – ka vendosur të mbyllet përkohësisht.
Aktiviteti sizmik filloi në një zonë në veri të Grindavik, ku ka një rrjet krateresh 2000-vjeçare, shpjegoi profesori i gjeologjisë, Pall Einrrson.
Korridori i magmës është rreth 10 kilometra i gjatë dhe shumë i gjerë. “Tërmetet më të mëdha filluan atje, nën këtë seri të vjetër krateresh, por që atëherë korridori i magmës është zgjatur, ka kaluar nën zonën urbane të Grindavikut dhe po shkon edhe më tej drejt detit”, tha ai.
The post Rrugë të çara, tym nga toka, evakuim banorësh, pasojat e vullkanit në Islandë (FOTO) appeared first on American Eye.