Rritja ekonomike e Gjeorgjisë nga fluksi i rusëve të larguar nga lufta

by admin
Spread the love

Gjeorgjia është në rrugën e duhur për t’u bërë një nga ekonomitë me rritjen më të shpejtë në botë këtë vit, pas një fluksi dramatik prej më shumë se 100,000 banorësh rusë që u vendosën aty pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainë.

Ndërsa pjesa më e madhe e globit shkon drejt recesionit, Gjeorgjia pritet të regjistrojë një rritje të fuqishme ekonomike prej 10% për vitin 2022, që sipas institucioneve ndërkombëtare ka ardhur si rrhjedhojë e rritjes së konsumit. Por jo të gjithë po përfitojnë.

Ndërsa lufta asfikson Evropën, një vend po shijon një zhvillim të papritur ekonomik.

Gjeorgjia pritet të bëhet një nga ekonomitë me rritjen më të shpejtë në botë këtë vit.

Kjo vjen pas një fluksi dramatik prej më shumë se 100,000 rusësh që nga pushtimi i Ukrainës nga Moska dhe përpjekjes së mobilizimit të rezervistëve në Rusi.

Vakhtang Butskhrikidze është drejtori ekzekutiv i bankës më të madhe të Gjeorgjisë, TBC.

“Të gjitha industritë po ecin mjaft mirë, shumë mirë. Dua të them duke filluar nga më të voglat deri tek korporatat – nga shitjet me pakicë në sektorë të ndryshëm. Nuk mbaj mend ndonjë industri që këtë vit të ketë problem”, thotë ai.

Statistikat e kalimit të kufirit tregojnë se të paktën 112,000 rusë kanë emigruar në Gjeorgji këtë vit.

Zoti Butskhrikidze thotë se shumë nga të rinjtë e ardhur sjellin mundësi të reja në Gjeorgji.

“Këta migrantë janë shumë të dobishëm sepse gjysma e tyre, ndoshta shumica e tyre, janë shumë të rinj, të arsimuar në teknologji, dhe kanë shumë njohuri. Për ne dhe gjithashtu për kompanitë e tjera gjeorgjiane, kjo është një mundësi mjaft e dobishme”.

Ata që ikin nga lufta e Rusisë u larguan duke marrë me vete shumë para.

Midis prillit dhe shtatorit, rusët transferuan më shumë se 1 miliard dollarë në Gjeorgji, nëpërmjet bankave, ose shërbimeve të transferimit të parave.

Sipas Bankës Qendrore Gjeorgjiane, kjo është pesë herë më e lartë se në të njëjtët periudhë të vitit 2021.

Kjo ka ndihmuar në rritjen e vlerës së monedhës gjeorgjiane në nivelin më të fortë në tre vjet.

Por rritja nuk është e mirë për të gjithë.

Ardhja e dhjetëra mijëra rusëve, duke përfshirë shumë profesionistë të teknologjisë me shumë para, po rrit çmimet dhe po rënon disa gjeorgjianë.

Përfshirë arsimin dhe tregun e qirave të banesave.

Qiraja në Tbilisi është rritur me 75% këtë vit.

Shio Khetsuriani është drejtor ekzekutiv i kompanisë “Archi”, një prej më të mëdhave në sektorin e pasurive të patundshme në Gjeorgji.

Ai thotë se ndërsa pronarët mund të përfitojnë nga qiratë në rritje, diferenca e fitimit për shitjet e apartamenteve tregon një tjetër pamje.

“Nëse marrim parasysh rritjen e çmimit për sa i përket kostos së materialeve dhe krahut të punës, mund të shihni se rritjet e çmimeve në realitet janë pothuajse saktësisht të njëjta me rritjen e kostos së materialeve dhe kostos së punës. Kjo do të thotë se rritja e çmimit nuk ka ndikim të madh nga numri i të ardhurve”.

Bumi ekonomik i Gjeorgjisë ka habitur shumë ekspertë që parashikuan pasoja të tmerrshme nga lufta për vendin.

Fuqia e saj ekonomike është e lidhur ngushtë me Rusinë fqinje përmes eksporteve dhe turizmit.

Të dy vendet ndajnë një vendkalim kufitar tokësor – dhe Gjeorgjia ka një politikë liberale emigracioni që lejon rusët – ndër të tjera – të jetojnë, të punojnë dhe të krijojnë biznese pa pasur nevojë për vizë.

Por ekonomistët kanë paralajmëruar se bumi ekonomik mund të mos zgjasë dhe kanë inkurajuar qeverinë gjeorgjiane që të përdorë të ardhurat nga taksat për të shlyer borxhin dhe për të krijuar rezerva valutore.

Drejtuesit e bizneseve kanë ngritur gjithashtu shqetësime se Gjeorgjia mund të përballet me një gjendje të vështirë nëse lufta përfundon dhe rusët kthehen në shtëpi.

Davit Keshelava është studiues në Qendrën e Kërkimit të Politikave Makroekonomike.

“Ata nuk e dinë se sa gjatë do të qëndrojnë këtu. Por kur të largohen, do të jetë problem, sepse një pjesë e kërkesës nuk do të jetë më aty në të ardhmen. Kjo mund të krijojë probleme në aspektin e rritjes ekonomike dhe mund të jetë veçanërisht e dëmshme për sektorin e ndërtimit dhe sektorët e turizmit dhe të hotelerisë”.

Gjeorgjia pritet të shënojë një rritje prej 10% të prodhimit ekonomik për vitin 2022 që do të thotë se do të tejkalojë ekonomitë në zhvillim si Vietnami dhe Kuvajti i pasur me naftë.


Top Channel

You may also like