Rritja e kostove të baterive nuk arriti të ulë shitjet e automjeteve elektrike

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Kostot u rritën për shkak të ndërprerjeve në zinxhirët e furnizimit, të sanksioneve ndaj metaleve ruse dhe spekulimeve të investitorëve.

 

Blerësit anembanë botës kanë vazhduar të blejnë automjete elektrike këtë vit, pavarësisht rritjes së konsiderueshme të ҫmimeve, duke ndryshuar pritshmërinë për industrisë e automobilave se shitjet e automjeteve elektrike do të rriteshin, vetëm atëherë kur kostot e baterive të binin nën një nivel të caktuar.

Këtë vit, kërkesa për automjete elektrike ka vazhduar të jetë e madhe, edhe pse kostoja mesatare e baterive litium-jon u rrit në rreth 160 dollarë për kilovat-orë në tremujorin e parë, nga 105 dollarë vitin e kaluar. Kostot u rritën për shkak të ndërprerjeve në zinxhirët e furnizimit, të sanksioneve ndaj metaleve ruse dhe spekulimeve të investitorëve.

Për një automjet më të vogël si Hongguang Mini, makina elektrike më e shitur në Kinë, kostot e rritura të baterive shtuan me gati 1,500 dollarë ҫmimin përfundimtar të automjetit, pothuajse me 30%.

Por, edhe kostot e benzinës dhe të naftës për automjetet me djegie të brendshme janë rritur që kur Rusia pushtoi Ukrainën. Ekspertët vunë në dukje se shqetësimet mjedisore po shtyjnë gjithnjë e më shumë blerës të zgjedhin automjetet elektrike, pavarësisht nga ekonomia e paqëndrueshme.

Prodhuesit, nga Tesla e deri te SAIC-GM-Wuling, që prodhon Hongguang Mini, ua kanë kaluar rritjen e kostove konsumatorëve, duke rezultuar në një rritje dyshifrore të çmimeve për automjetet elektrike.

Megjithatë, kjo nuk është e gjitha. Andy Palmer, drejtuesi i kompanisë sllovake që prodhon bateri për automjetet elektrike, InoBat, thotë se marzhet në industrinë e baterive janë shumë të ulëta, kështu që “rritja e shpenzimeve do të duhet të kalojë te prodhuesit e makinave”.

Prodhuesit e automjeteve si Mercedes-Benz ka të ngjarë ta kalojnë këtë rritje te klientët, nëse çmimet e lëndëve të para vazhdojnë të rriten. “Duhet të ruajmë marzhet e fitimit”, – tha shefi i teknologjisë, Markus Schaefer për Reuters.

Por, blerësit e automjeteve elektrike deri më tani nuk i kanë parë këto rritje ҫmimesh si një pengesë. Shitjet globale të automjeteve elektrike në tremujorin e parë u rritën me gati 120%, sipas vlerësimeve të EV-volumes.com. Kompanitë kineze Nio, Xpeng dhe Li Auto arritën shitje rekord të automjeteve elektrike në muajin mars. Tesla arriti një rekord prej 310,000 dërgesash të automjeteve elektrike në tremujorin e parë.

 

Pikë kthese e një lloji tjetër

“Duket se kemi arritur një pikë kthese të një lloji tjetër – një pikë kthese emocionale ose psikologjike te konsumatorët”, – tha Venkat Srinivasan, drejtor i Qendrës për Shkencën e Ruajtjes së Energjisë në Laboratorin Kombëtar Argonne të qeverisë amerikane në Çikago. Ai tha se “gjithnjë e më shumë njerëz po zgjedhin të blejnë automjete elektrike, pavarësisht kostos së baterisë dhe të automjetit”.

Rritja në kostot e baterive mund të përbëjë pengesë në trendin afatgjatë, pas tre dekadave të fundit gjatë të cilave përmirësimet e teknologjisë dhe rritja e prodhimit sollën uljen e kostove. Të dhënat nga industria treguan se kostoja mesatare prej 105 dollarësh për kilovat orë në vitin 2021 ishte ulur me gati 99%, nga mbi 7,500 dollarë në vitin 1991.

Ekspertët thonë se kostot e baterive mund të vazhdojnë të jenë të larta edhe në vitin e ardhshëm, por më pas pritet një tjetër rënie e konsiderueshme, si rrjedhojë e investimeve të mëdha nga prodhuesit e automjeteve dhe furnitorët për prodhimin e baterive, si dhe e përpjekjeve për të diversifikuar burimet e lëndëve të para.

“Është si një flluskë – dhe që kjo flluskë të fillojë të qetësohet, do të duhet të presim të paktën deri në fund të vitit 2023”, – tha konsulenti Prabhakar Patil, ish-drejtues i LG Chem.

Kompania britanike e baterive Britishvolt do të nisë prodhimin e baterive në një fabrikë me 45 gigavat-orë në Anglinë verilindore në vitin 2024. Drejtuesja e strategjisë, Isobel Sheldon, tha se këshilla që kompania po merr nga furnizuesit e lëndëve të para është “mos i rregulloni çmimet tuaja që tani. Prisni 12 muajt e ardhshëm dhe më pas rregullojini çmimet, sepse gjithçka do të kthehet në një situatë më normale”.

“Deri atëherë, sigurimi i burimeve nuk do të jetë më një problem për ne”, – tha ajo. / Reuters

You may also like