Rritet frika nga një rrjedhje radioaktiviteti pranë centralit bërthamor të Ukrainës

by admin
Spread the love

Autoritetet ukrainase filluan të premten shpërndarjen e tabletave të jodit për banorët pranë centralit bërthamor të Zaporizhias, në rast të një rrjedhjeje të mundshme radioaktive, mes frikës në rritje se luftimet rreth impiantit mund të shkaktojnë një katastrofë bërthamore.

Vendimi erdhi një ditë pasi centrali u fik përkohësisht për shkak të asaj që zyrtarët thanë se ishte dëmtim nga zjarri në një linjë transmetimi. Incidenti rriti frikën për një katastrofë bërthamore në një vend ende të përndjekur nga shpërthimi i vitit 1986 në Çernobil.

Bombardimet e vazhdueshme u raportuan në zonë gjatë natës dhe imazhet satelitore nga “Planet Labs” treguan zjarre që digjeshin rreth centralit bërthamor më të madh në Evropë.

Tabletat e jodit, të cilat ndihmojnë në bllokimin e përthithjes së radioaktivitetit nga gjëndra tiroide në rastin e një aksidenti bërthamor, u shpërndanë në qytetin e Zaporizhias të kontrolluar nga Ukraina, rreth 45 kilometra larg nga centrali. Një grua dhe vajza e saj e vogël ishin mes atyre që morën pilulat.

Agjencia e energjisë atomike e OKB-së është përpjekur të dërgojë një ekip për të inspektuar dhe ndihmuar në sigurimin e centralit. Fabrika e Zaporizhzhias është pushtuar nga forcat ruse dhe drejtohet nga punëtorë ukrainas që në ditët e para të luftës 6-mujore. Të dy palët kanë akuzuar në mënyrë të përsëritur njëra-tjetrën për bombardimet e impiantit.

Në incidentin e së enjtes, Ukraina dhe Rusia fajësuan njëra-tjetrën për dëmtimin e linjës së transmetimit që shkëputi centralin bërthamor nga rrjeti elektrik.

Nuk ishte e qartë saktësisht se çfarë nuk funksionoi, por presidenti ukrainas Volodymr Zelensky tha se gjeneratorët rezervë të centralit që punojnë me naftë duhej të aktivizoheshin në mënyrë që të furnizonin me energji elektrike centralin.

Impianti ka nevojë për energji që të mbajë në funksion sistemet e ftohjes të reaktorëve, mungesa e së cilës mund të shkaktojë një shkrirje bërthamore.

“Ukrenergo”, operatori i sistemit të transmetimit të Ukrainës, raportoi të premten se dy linjat kryesore të dëmtuara që furnizonin centralin me energji elektrike kishin rifilluar funksionimin, duke siguruar një furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike.

Ukraina ka pohuar se Rusia po e përdor centralin si mburojë duke magazinuar armët atje dhe duke nisur sulme nga rrethinat e saj. Moska, nga ana e saj, akuzon Ukrainën se ka bombarduar në mënyrë të pamatur në impiant.

Reaktorët e Zaporizhias mbrohen nga kupola të trasha, të betonit të armuar që ekspertët thonë se mund t’i rezistojnë një predhe artilerie. Ekspertët i tremben një humbjeje të mundshme të energjisë në sistemin e ftohjes dhe gjithashtu rrezikut të një sulmi në magazinat ku mbahen shufrat e karburantit që mund të shpërndajnë materialin radioaktiv./REL


Top Channel

Lexo lajme interesante

You may also like