Rrëfimi i Salah se si mospërfillja nga Mourinho te Chelsea ia ndryshoi jetën dhe karrierën

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Anësori i Liverpoolit, Mohamed Salah, ka treguar se si e ndryshoi karrierën e tij pasi u mospërfill nga Jose Mourinho te Chelsea.

Në janar të vitit 2014, Chelsea shpenzoi 11 milionë funte duke e transferuar Salahun nga Baseli i Zvicrës dhe asokohe ai ishte ndër lojtarët me perspektivë.

Mirëpo, në dy vite e gjysmë me Blutë, anësori regjistroi vetëm 19 paraqitje, duke qenë se Mourinho nuk i jepte hapësirë për t’u zhvilluar.

“Kur shikoj prapa, kam pasur këshilla të këqija me situatën. Ishte shumë e vështirë për mua, mendërisht. Nuk mund ta përballoja presionin që e kisha nga mediat, meqë vija nga jashtë. Nuk luaja sa duhet. Mendoja me vete: ‘Jo, më duhet të shkoj’”, ka rrëfyer Salah për revistën GQ.

Dhe pikërisht këtë e bëri duke u huazuar fillimisht te Fiorentina (2015) dhe pastaj te Roma (2016), ku pasi nënshkroi kontratë qëndroi vetëm një vit dhe në vitin 2017 iu bashkua Liverpoolit.

“I ke dy zgjidhje: T’u thuash njerëzve se kanë të drejtë të të lënë në bankën rezervë ose t’ua dëshmosh se e kanë gabim. Unë duhej t’ua dëshmoja se e kanë gabim”.

“Gjëja më e mirë që mund të bësh është një bisedë serioze me vetveten. E merr një kafe, ulesh dhe e pyet veten se çfarë dëshiron të bësh”.

“Disa njerëz nuk mund të përballen me vetveten në mënyrën e duhur. Por, unë nuk e kam problem këtë. Nëse po vuaj, thjesht përballem me vetveten dhe e kuptoj se ku jam”, ka vazhduar rrëfimin e tij egjiptiani.

Chelsea i Mourinhos në atë kohë u bë kampion, mirëpo ish-mbrojtësi Felipe Luis kishte treguar se Salah “po luante sikur Messi” në stërvitje dhe nuk mund ta kuptonte pse po largohej.

“Kur (Salah) shkoi te Fiorentina, i thashë: ‘Pse po shkon Momo? Je te Chelsea’. Ndërsa ai më tha: ‘Më duhet të luaj’. Mendova: ‘Ky djalë është i mirë’”.

“Ai nuk shkonte për para ose për të fituar më shumë; shkonte për të dëshmuar se mund të luajë. Në stërvitje ishte sikur Messi. Vërtet, sikur Messi. Pyeteni këdo”, ka shpjeguar Luis për The Guardian.

Kritikët besojnë se stili i ashpër i Mourinhos ishte arsyeja e problemeve të Salah, i cili më pas shkëlqeu në Ligën Premier nën drejtimin e Jurgen Klopp në Anfield.

Megjithatë, ‘Special One’ i mohon pohimet e tilla duke thënë për beIN Sports: “Fillimisht, njerëzit përpiqen të më identifikojnë si trajneri që e shiti Salahun. Unë jam trajneri që e bleu Salahun. Është krejtësisht ideja e gabuar”. 

You may also like