Rrëfehet intelektuali nga Lugina: Bekim Sali një lider i lindur, ja pse duhet votuar

by admin
Spread the love

Kandidimi i Bekim Salit për kryetar të Komunës së Çairit ka ngjallur entuziazmin jo vetëm të banorëve të kësaj komune, por edhe më gjerë në trevat shqiptare. Mbështetja për të po vjen nga katër anët ku ka shqiptarë, e sidomos nga ata që e njohin personalisht Bekimin, i dinë vetitë e tij njerëzore, morale dhe profesionale. Së fundmi një mbështetje e tillë vjen nga Lugina.

Gazetari i TV Spektrit nga Bujanoci, Jeton Ismaili, rrëfen njohjen e tij me Bekim Salin që nga vitet studentore. Ai e përshkruar Bekimin si një lider i lindur, por në të njejtën kohë dhe shumë modest dhe kokëulur. Gazetari Jeton Ismaili thotë se me suksesin e tij në profesion Bekim Sali ka siguruar mirëqenien e tij, por dëshira për të kontribuar për shoqërinë ka mbisunduar ndaj interesit personal dhe e ka shtyrë t’i hyjë politikës.

Në vazhdim statusi i plotë i gazetarit nga Bujanoca, Jeton Ismaili:

“SI E NJOH DR. BEKIMIN DHE PSE DUHET VOTUAR ATË?

Formimi i personalitetit ia fillon që në fëmijërinë e hershme. E varësisht nga etapat e zhvillimit në moshë të re, ndërtohen më pas dhe vihen në funksion edhe tiparet dhe virtytet e individit.

Këto dy fjali të shkurtra janë baza e njohjes në psikologji dhe çelësi kur një profesionist i këtij lëmi i identifikon „të metat“ ose „progreset“ e dikujt.

Unë nuk jam psikolog, jam gazetar. Por, ky shkrim nuk ka të bëjë as me psikologji e as me gazetari. Rreshtat në vazhdim ia dedikoj njohjes time me Dr. Bekimin, i cili për mua vazhdon të mbetet „Beka“, ndërsa unë për të edhe më tej jam „Tonka“.

Edhe pse që të dy kemi kaluar të dyzetat, njohja jonë me njëri-tjetrin daton që kur dinim për veten. Akoma i mbaj mend dy lodrat e famshme (veturat) e fëmijërisë: formulën, të cilën e kishte për qejfi Beka, dhe golfin e kaltër, me të cilin lozja unë.

Beka ishte gjithnjë i kujdesshëm. Ai nuk donte përplasje mes këtyre dy veturave, duke ma shuar dëshirën time se gjoja „po bëjmë aksident në komunikacion“.

Ecuria e shoqërimit tonë do të vazhdonte bashkë me periudhën e vajtjes në shkollë, përkatësisht me pushimet. Qershorin dhe Janarin prisnim me padurim për ritakimet tona.

Beka e kishte zakon që pjesën më të madhe të tyre ta kalonte te dajallarët, në Tërnoc të Bujanocit, i cili është edhe vendbanimi im. Akoma pa zbarkuar mirë, Beka do të trokiste në shtëpinë time, e cila kufizohet me të dajëve të tij.

„Tonke, erdhaaaa!“. Dhe, kështu niste aventura jonë verore ose dimërore. Me përjashtim të gjumit, kohën tjetër të pushimeve e kalonim së bashku.

Përveç nesh, pjesë e „grupit“ ishin edhe çunat e shumtë të lagjes, të cilët për Bekën kishin një respekt maksimal. Jo vetëm sepse ai ishte mysafiri, por se ishte më i maturi ndër nesh.

Beka bënte planin ditor të lojës dhe itinerarit tonë. Ai, proporcionalisht, e ndante kohën për futboll në lagje, për larje dhe peshkim në lum, për shëtitje në pyll, për shikim të TV-së, etj.

Ai çdo gjëje ia dinte kufirin. Nuk preferonte shoqërimin me ata që pinin duhan, na qortonte kur ngacmonim së tepruari vajzat, nuk e kishte merakun e qëndrimit natën vonë.

Edhe pse ishte i pari që propozonte ndonjë gjë, ai me kujdes e dëgjonte edhe grupin. Që në fëmijëri ai kishte prirje prej lideri.

Ai me ndershmëri të lartë komunikonte me të vjetrit e lagjes, të cilët pa dallim i thërriste „dajë“.

Beka ishte një djalë i lindur dhe rritej në një zemër qyteti. Ai përshtatej shpejt me ne në fshat por na rrëfente edhe për Çairin e tij.

„Kemi rrugë të gjëra, parqe të rregulluara me lodra fëmijësh, shkolla me salla sporti, mësues të kujdesshëm….“, e përshkruante Beka këtë pjesë të Shkupit në fundin e viteve të ’80-ta dhe fillimin e viteve të ’90-ta të shekullit të kaluar.

Shoku im nga ditët e fëmijërisë kishte gëzimin dhe të mirat e botës. Atij nuk i mungonte asgjë. Ai rritej dhe zhvillohej në mirëqenie të plotë. I ati i tij (tashmë i ndjerë) ishte një sipërmarrës i suksesshëm dhe ishte ndër të paktët që në atë kohë në territorin e ish-Jugosllavisë ushtronte një zeje specifike.

Beka nuk lakmonte për asgjë. Ai ishte i përkëdheluri i familjes. Ishte sugari edhe djali i vetëm i prindërve të tij. Megjithatë, atij asnjëherë nuk i ikte mendja të keqpërdorë „privilegjet“ në familje. Përkundrazi, Beka me vijimin e shkollimit, përveç mësimeve, gjente kohë t’i ndihmonte babait. Kjo gjë nuk iu është kërkuar kurrë atij, por ai këtë e bënte në shenjë respekti për punën dhe për prindin e tij. Rrespekt të veçantë kishte edhe për gjyshin e tij nga ana e nënës, Hajrullah Limani (nga Tërnoci) – aktivist i „Ballit Kombëtar“ dhe ish i burgosur politik. Beka e kishte për qejfi që një kohë të ditës ta kalojë vetëm me „babën Hajrë“.

Pas përfundimit të shkollës së mesme, shtigjet e jetës paksa na larguan me Bekën, por asnjëherë në skajshmëri. Pasoi periudha e studimeve, të cilat ai i mbaroi në afat rekord.

Ai sot është një stomatolog i përmasave botërore. Reputacioni i tij nuk është prezent vetëm në Maqedoni, por edhe në rajon.

Hyrja e Bekës në politikë nuk ka të bëjë aspak me personalen e tij. Por, ashtu siç e njoh që nga fëmijëria, ai ka dëshirë të jetë në shërbim të të tjerëve.

Bekës kurrë s’i ka shërbyer politika dhe as që do t’i shërbejë për t’u pasuruar. Ai i ka të gjitha që ndokush ndoshta vetëm se mund t’i ëndërrojë. Në saje të dy profesioneve, Beka me familjen e tij të mrekullueshme do të jetonte edhe për 1.000 vjet.

Për të politika do të ishte vetëm një barrë, por ja që dëshira për t’i shërbyer komunitetit mbisundon mbi të.

Beka gjithnjë është nisur nga parimi se atë që e zotëron për vete dëshiroja ta kenë edhe të tjerët.

Ai jeton për Çairin. Ai dëshiron ta bëjë realitet ëndrrën e tij për një qytet model evropian.

Prandaj ai ka nevojë për përkrahjen e të gjithëve.

Si një shtetas tjetër, unë nuk kam të drejtë vote në zgjedhjet e 17 tetorit, por këto rreshta burojnë nga kujtesa ime për Bekën.

Të gjithë ata që mendojnë se duhet jetuar ndryshe në këtë pjesë të kryeqytetit, vetëm le ta analizojnë se çfarë është bërë për ta në këto 20 vjetët e fundit?.

Besoj se askush nuk ka dëshirë të humb aq kohë, të paktën jo katër vjetët e ardhshme.

Po të isha në vendin tuaj, asnjëherë nuk do të hamendesha. Vetëm i jepni një rast.

Dr. Bekimi është i duhuri dhe vetëm me të do të keni një Çair ndryshe!

Jeton Ismaili – Tërnoc, Bujanoc”, ka shkruar Ismaili.

You may also like