Roskomnadzor kërcënon të gjobisë Google për videot e luftës në Ukrainë

by admin
Spread the love
Agjencia rregullatore e komunikimit në Rusi, Roskomnadzor, pretendon se YouTube “promovon shpërndarjen e përmbajtjes së rreme” për atë që e quan “operacionin special ushtarak” në Ukrainë

 

Agjencia rregullatore e komunikimit në Rusi, Roskomnadzor, kërcënoi se do të gjobisë Google për faktin se ka dështuar të ndjekë urdhrat e Rusisë për heqjen e disa videove “të paligjshme” në YouTube, siç u raportua fillimisht nga “The Washington Post”.

Në një version të përkthyer të postimit të tij në Telegram, Roskomnadzor paralajmëron se mund të gjobisë kompaninë e teknologjisë me një shumë deri në 8 milionë rubla (rreth 94,675 dollarë amerikanë), e cila do të rritet deri në 20% të të ardhurave vjetore të Google, në rast se kjo shkelje përsëritet.

Roskomnadzor pretendon se YouTube “promovon shpërndarjen e përmbajtjes së rreme” për atë që e quan “operacionin special ushtarak” në Ukrainë dhe akuzon platformën për “diskreditimin” e ushtrisë ruse. Agjencia thotë gjithashtu se YouTube ofron përmbajtje “ekstremiste”, me “thirrje për të kryer veprime të dhunshme kundër ushtarëve rusë”.

Nuk është shumë e qartë se cilat videove u referohet konkretisht Roskomnadzor, por ka të ngjarë që ky reagim të vijë në vazhdën e një ankese të bërë nga agjencia e komunikimeve më herët në mars. Më 18 mars, Roskomnadzor kërkoi nga YouTube heqjen e reklamave që, sipas tij, promovojnë shkatërrimin e hekurudhave ruse dhe bjelloruse.

“Veprimet e administratës së YouTube janë të një natyre terroriste dhe kërcënojnë jetën dhe shëndetin e qytetarëve rusë”, shkruhej në një deklaratë për shtyp. “Roskomnadzor i kundërshton në mënyrë kategorike fushata të tilla reklamuese dhe kërkon që Google LLC të ndalojë transmetimin e videove anti-ruse sa më shpejt të jetë e mundur”.

YouTube ka ndërmarrë tashmë një sërë veprimesh kundër Rusisë pas pushtimit të Ukrainës. Platforma ka ndryshuar politikat e saj për të demonetizuar kanalet që i përkasin “Russia Today” dhe mediave të tjera të mbështetura nga shteti rus, si dhe po pengon aksesin te videot e publikuara nga këto kanale.

Sipas një raporti nga “Bloomberg”, YouTube pezulloi llogarinë në këtë platformë të ushtrisë së Rusisë, pasi ajo publikoi dy video (të cilat më vonë u hoqën) që e cilësonin luftën në Ukrainë një “mision çlirimtar” javën e kaluar. “Bloomberg” thotë se është bllokuar edhe një kanal në YouTube që lidhet me Ministrinë e Mbrojtjes së Rusisë.

Facebook dhe Instagram kanë ndërmarrë veprime të ngjashme për të bllokuar llogaritë e mediave që drejtohen nga qeveria ruse.

Të dyja këto platforma sociale filluan t’i lejojnë përdoruesit në vende të caktuara që të bëjnë thirrje për dhunë kundër ushtarëve rusë, një politikë që e shtyu Rusinë t’i bllokonte të dyja platformat për “aktivitete ekstremiste”. / The Verge

You may also like