‘Rojat e mbretëreshës’ arrestohen për drogë, pastrim parash, disa ditë para ‘jubileut të madh’ (fotot)

by admin
Spread the love

Gjashtë ushtarë britanikë dhe një veteran i larguar nga forcat, janë arrestuar për aktivitetin e tyre në një rrjet shpërndarjeje kokaine dhe pastrimi parash, disa ditë para përvjetorit të madh të fronit të mbretëreshës, që po trumbetohet në vend me zhurmë nga mediat.

Ministria britanike e mbrojtjes tha se të dyshuarit u ndaluan të mërkurën pas një aksioni të Policisë Ushtarake Mbretërore, në kazermat e degës speciale në Anglinë qendrore, shkruan BBC News.

Aksione të kësaj natyre ishin zhvilluar gjithashtu nga policia ushtarake në kazermat e rojeve mbretërore në Windsor, në Uells dhe në Irlandën e Veriut. Ushtaraku veteran i përfshirë ishte më parë anëtar i rojeve speciale Coldstream Guards.

Gjashtë Roja irlandeze i përkisnin batalionit ceremonial të Gardës Irlandeze të cilët pritet të drejtojnë paradën ushtarake “Trooping the Color” që do të celebrojë të enjten 70 vjetorin e monarkes në fron.

“Si pjesë e një operacioni të planifikuar , Policia Ushtarake Mbretërore ka arrestuar gjashtë ushtarë të Gardës Irlandeze dhe një veteran të Gardës Coldstream të dyshuar për bashkëpunim në shpërndarjen e drogave, dhënies së parave me fajde dhe pastrimit të parave,” thuhej në deklaratën e ushtrisë britanike.

“Ushtria nuk toleron asnjë sjellje ilegale apo kriminale. Çështja është tashmë objekt i hetimeve të Policisë Ushtarake Mbretërore prandaj nuk është e udhës të komentohet më tej”.

Ministria nuk tha nëse ndonjë nga ushtarakët e ndaluar do të lejohen të marrin pjesë në celebrimet e përvjetorit javën që vjen.

Pesë prej të ndaluarve ishin liruar me kusht, sipas të përditshmes The Mirror.

Pallati mbretëror Buckingham Palace nuk iu përgjigj interesit të mediave për komente mbi çështjen problematike.

Rojat Irlandeze kanë qenë një nga njësitë më aktive operacionale të ushtrisë britanike vitet e fundit.

Nipi i mbretëreshës dhe i dyti në radhë për fronin, Princi William, është Kolonel i Rojave Irlandeze.

Rojat Irlandeze  janë formuar në vitin 1900 nga mbretëresha Victoria dhe kohët e fundit janë dislokuar në angazhime luftimi në Irak, Afganistan, Qipro apo ishujt britanikë Falkland, pranë Argjentinës.