Rikarikues universal për smartphone, hidhet hapi i parë nga Parlamenti Europian

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Hidhet hapi i parë i rëndësishëm për direktivën që do t’u kërkojë të gjithë prodhuesve të pajisjeve elektronike të pajisen – dhe të pajisin konsumatorët europianë – me një rikarikues universal.

Miratimi vjen nga Komisioni i Tregut të Brendshëm i Parlamentit Europian, me 43 vota pro dhe vetëm 2 kundër. Edhe pse është folur për të që nga viti 2020, propozimi konkret u njoftua në vjeshtën e vitit të kaluar dhe tani po vijon procesin për t’u bërë ligj. Në maj do të bëhet votimi në seancën parlamentare të Parlamentit Europian.

Më pas, fjala do t’i kalojë Këshillit Europian për formën përfundimtare.

Arsyet kryesore se pse Bashkimi Europian po lufton për përdorimin e një rikarikuesi universal janë dy: Së pari, të drejtat e konsumatorëve, të cilët nuk duhet të jenë më të detyruar të pajisen me një rikarikues të ri me blerjen e një pajisje të re.

Arsyeja e dytë lidhet me mjedisin dhe çështjen ekologjike. Synimi është reduktimi i mbeturinave elektronike, të cilat rriten vazhdimisht.

Deklarata e Parlamentit të BE-së raporton fjalët e raportuesit Alex Agius Saliba: “Me gjysmë miliard rikarikues të dërguar në Europë çdo vit, që gjenerojnë 11-13 mijë tonë mbetje elektronike çdo vit, një karikues unik për telefonat dhe pajisje të tjera telefonike do të ishte në të dobi të të gjithëve”.

Përveçse një rikarikuesi të vetëm, kërkesa synon të arrijë “ndërveprimin e teknologjive të rikarikimit me wireless brenda vitit 2026 dhe përmirësimin e informacioneve të ofruara për konsumatorët me etiketa për këtë qëllim. Jemi duke e zgjeruar fushën e propozimit, duke shtuar produkte të tjera si laptopë, që duhet të jenë në përputhje me rregullat e reja”.

Nuk bëhet fjalë vetëm për smartphone, por për të gjithë pajisjet elektronike: PC, tablet, fotocamera, kufje, konsolë dhe speaker.

Megjithatë, ideja sjell probleme në veçanti për një shoqëri, Apple, e cila ka përdorur gjithnjë në pajisjet e saj një portë të ndryshme, të krijuar nga vetë kompania, përkatësisht portën Lighting.

Edhe pse Apple ka nisur tashmë, në njëfarë mënyre, të përshtatet me tregun në këtë drejtim, si Mac, ashtu edhe çdo iPad, me përjashtim të ndonjë modeli, kanë adoptuar USB-C. Situata nuk ka ndryshuar për iPhone. Deri më tani, gjithë modelet rikarikohen nëpërmjet një kabllo Lighting.

Duhet saktësuar se një sistem universal i rikarikimit të pajisjeve elektronike po zhvillohet pa asnjë ndërhyrje zyrtare – rikarikimi ëireless. Pajisjet që përdorin këtë teknologji mbështeten te standardi Qi, pavarësisht markës.

Në nëntor, Apple iu përgjigj drejtpërdrejt Komisionit Europian, duke shpjeguar arsyet dhe kritikat e tij për
propozimin e rikarikuesit të vetëm.

“Përdorimi i papërshtatshëm i standardeve mbyt inovacionin dhe minon objektivin e ndërveprimit të gjerë” – është pika e parë sipas Apple.

Pika e dytë mbështetet në të njëjtat arsye ekologjike të Komisionit Europian – propozimi nuk i lejon modelet aktuale të shkojnë deri në fund të jetës së tyre.

“Pjesa më e madhe e produkteve kanë cikle të gjata zhvillimi. Ndryshimi i rikarikuesve ka ndikim të ndjeshëm në projektimin e produktit dhe në ekosistem, duke kërkuar shumë vite përpjekje”.

“Kur propozimi të hyjë në fuqi, për konsumatorët europianë do të jenë të disponueshëm për blerje vetëm modelet e reja me USB-C. Për pasojë, ata do të privohen nga mundësia për të blerë modele pak më të vjetra të përputhshme me aksesorët dhe rikarikuesit, duke rezultuar në vjetërsimin e parakohshëm të rikarikuesve dhe aksesorëve jo-USB-C”.

/ Corriere della Sera

You may also like