REPORTAZH – Në kryeqytetin e Krishtlindjes ka vend edhe për tregun e Ramazanit

by admin
Spread the love

STRASBURG, 31 mars /ATSH-AFP/ – Specialitete kulinarie, drita llamburitëse dhe argëtim.

Pak më shumë se tre muaj pas tregut më të famshëm të Krishtlindjes, në Strasburg, në Francën Lindore, ka vend edhe për tregun e Ramazanit, një ngjarje më pak imponuese, por që po rritet me kalimin e viteve.

Nën një kantier prej 2 400 metrash katrore, të ngritur në tokë që i përket komunitetit mysliman turk Ditib, qindra njerëz mblidhen në tryezë për të kremtuar iftarin, një vakt për të prishur agjërimin, pranë një skene të madhe ku performojnë muzikantët.

Jashtë, rreth 50 dyqane ofrojnë një gamë të gjerë të gastronomisë turke, nga qebapi në hell deri te bakllavaja, përfshirë simite, dollma’ dhe erëza.

“Më pëlqen të vij për të treguar miqësinë e vendit”, shpjegon Zaide Uygur, një franceze 33-vjeçare me origjinë turke, e cila erdhi me bashkëshortin, fëmijët dhe miqtë e saj.

“Kjo na lejon të jemi të gjithë së bashku dhe të rizbulojmë pjatat që nuk i hamë çdo ditë”, shton ajo.

– Ezani për namaz –

Ditib, një organizatë e islamit zyrtar turk në Francë, historikisht e moderuar, mbron një ngjarje të hapur për të gjithë, edhe nëse në perëndim të diellit, thirrja për lutje rezonon në treg.

Publiku është i larmishëm, familje me karroca, të rinj, pensionistë, me veshje tradicionale apo me pamje më moderne.

“Këtu janë të gjithë, muaji i Ramazanit bashkon komunitetet e ndryshme”, siguron Zay, 34 vjeçe, një nëpunëse civile, e cila nuk është me origjinë turke, por me origjinë nga Afrika e Veriut.

“Është e hapur edhe për jomyslimanët që mund të vijnë të hanë dhe të zbulojnë kulturën. Është një muaj për të qetësuar marrëdhëniet”, shton ajo, megjithëse i vjen keq që prezantimet në skenë bëhen në turqisht.

“Pra, ne nuk kuptojmë asgjë, fare”, pranon ajo.

Sipas zëdhënësit të Ditib Strasburg, Saban Kiper, krijimi i këtij tregu i përgjigjet kërkesës së komunitetit për të pasur një vend për ribashkime dhe aktivitete.

“Është pak si dita e Krishtlindjes”, thotë ai.

”Më 24 dhjetor je me familjen, besimtar apo jo. Ramazani është e njëjta gjendje shpirtërore, vetëm se zgjat më shumë”, shton Sabani.

Por, ai nuk e zgjat krahasimin me festën e të krishterëve dhe tregun e Krishtlindjeve, edicioni i fundit i të cilit tërhoqi 3,3 milionë vizitorë.

“Nuk është i krahasueshëm, tregu i Krishtlindjeve në Strasburg ka pesë shekuj histori, është më i vjetri në Evropë”, pranon ai.

Në vitin 2023, tregu i Ramazanit priti 50 000 vizitorë.

– “Klimë e dëmshme” –

Drejtuesit e komunitetit shpresojnë se ky treg, i paraqitur si më i rëndësishmi në nivel kombëtar, do të ndihmojë në dhënien e një imazhi tjetër të komunitetit mysliman dhe në normalizimin e marrëdhënieve me autoritetet.

”Që nga sulmi kundër të përjavshmes satirike ‘Charlie Hebdo’ në 2015 në Paris, çështja e Islamit shpesh trajtohet nga një perspektivë e sigurisë, për fat të keq. Ka një stigmë shumë të fortë, klima është e dëmshme”, shpreh keqardhjen Sabani.

Në anën e bashkisë, shërbimet ndërhynë për të rregulluar parkimin dhe për të mos lejuar banorët vendas të vuajnë nga turmat, pas disa ekseseve në vitet e mëparshme.

Për pjesën tjetër, qyteti nuk është i përfshirë në organizimin e eventit, i cili zhvillohet në tokë private dhe për të cilin nuk është bërë asnjë kërkesë për subvencionim.

”Nuk ka asnjë bllokim apo ndihmë specifike”, përmbledh Jean Werlen, këshilltar bashkiak i ngarkuar për fenë, për të cilin ky treg është mbi të gjitha një ngjarje kulturore./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like