Renegatët* dhe Kosova si projekt i përhershëm

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

1.
Na trajtojnë si bimë, me rrâjë të përbashkēta dhe kështu, duen me na shkulë tue na ngreh për veshësh që me na bashkue tubë, si dujë talle…
E na, jemi njerëz, jo bimë!?
Qesin fall, si plakat nomade për të ardhmen e shqiptarëve, e me ua “ble” jo veç votat por edhe shpirtin shqiptarëve…
Bashkim kombëtar, thojnë pa e kuptu fare ç’âsht ni komb!?
Sepse që ni shekull përtypin definicionin e Stalinit për kombin.
Renegatët, ata duen komb me zor, pa liri zgjedhje e pa vullnet vendosje.
Janë ni hap prapa Serbisë dhe si t’padijshëm duen me ia legjitimu asaj “Botën serbe” me të drejtën e kontrollit të veriut të Kosovës.
Bashkimi simas tyne âsht aneksim, që n’Kosovë i bjen: me prish sh’pinë e me marue ‘shupë’*;

2.
Vetëm ni Kosovë demokratike, e përmbushun dhe e lirë – anëtare e OKB-së dhe NATO-s, munet me vendos lirisht se çfarë rregullimi shtetnor dëshiron dhe me kë e si don me jetue në të ardhmen.
Vetëm shtet i kryem, Kosova munet me vendos nëse don me u lidh në ndoni rregullim federal apo konfederalist, tue rujtë subjektivitetin e vet juridik e politik, me Shqipni apo nëse don me vazhdu jetën e vet si shtet i mëvetësishëm.
Sëkëndejmi, çfarëdo marrdhânie kontraktule që e zhbân sovranitetin e Kosovës dhe çfarëdo referendumi i imponuem nga akëcila Qeveri, pa u maturu Kosova në OKB, si snëtare me të drejta të plota, pa e siguru integritetin e territorit kushtetues të Kosovës, paraqet aneksim të dhunshëm dhe të pavullnetshëm, pra asht veprim kundër parimit universal të barazisë.
Pra munet me qenë burim konflikti.
Vetëm njeriu (kosovari) i lirë munet me vendos lirisht dhe me shpreh vullnetin e tij, jo shqiptari kosovar i mbytun me propagandë integriste dhe i (keq)përdorun politikisht për nevojat e pushtetit/pushteteve të falltorëve Edi Rama e Albin Kurti.

3.
Kosova mësyn afirmimin ndërkombëtar si entitet juridik-politik sovran, si projekt i përjetshëm e në miqësi të përhershme me ShBA-në, e jo ni tokë që ndahet për me i përmbush apetitet shtetomëdha të ballkanasve tjerë.
Secili që paguhet me taksa të kosovarëve dhe ngritët kundër sovranitetit të Kosovës, i ka bâ keq llogaritë.
Secili që i jep shembull të mbrapsht rinisë kosovare se ky shtet âsht i përkohshëm, nuk âsht patriot por thjesht ni tregtar flamujsh!
Kosova sovrane âsht e paprekshme, mos humbni kohë kot, ajo nuk i aneksohet kurrë askujt!
Aneksim në shqip do me thânë: ndajshtesë, aksesor!
Disa shqiptarë të Kosovës janë ra në kurthin e mashtrimeve politikaneske dhe nuk i japin besnikni atdheut të tyne, prandej e trajtojnë shtetin si të ishte i huej, si Jugosllavi apo Serbi!?
Kurse disa shqiptarë në Shqipni e trajtojnë Kosovën vetëm si koncept gjeografik, monedhë për kusuritje me Serbinë!?

4.
Tue bâ dallimin mes nacionalizmit modern perëndimor dhe atij lindor, Urs Altermatt
vërente ndërkohë se nacionalizmi perendimor në radhë të parë ndërtonte ni shtet – shtetin modern kombëtar – ai lindori kish për synim pikësëpari që ta mbronte ni kulturë të naltë kombëtare. Ideja e “rrâjve të përbashjëta” dhe “kultura e naltë kombëtare” nuk e sheh shtetin-komb si Atdhe dhe “Njisi të rritun”, si kulm të organizimit të ni shoqnie politike, porse si ni projekt të përkohshëm, pra si projekt të pakryem. Që këtu, nga ky dallim i nacionalizmave perëndimor dhe lindor buron edhe pranimi jo kritik nga shqiptarët të ni definicioni ideologjik, të mangët e racist për kombin si bashkësi imagjinare (Anderson), sëkëdejmi definicioni i Stalinit për kombin ka kaq shtrimje të gjânë tek shqiptarët, nga barijtë, sociologët e shkollës enveriste e deri tek zyrtarët e naltë të shtetit.
Kosova nuk ka patriotë kushtetues në majat e shtetit, nuk ka ma elitë kulturore që e inspiron dhe kanalizon këtë besnikni ndaj shtetit. Kosova po i shumëzon renegatët e integristët folklorikë, që e gërryjnë nga brenda legjitimitetin e shtetit!
——————————————-
*Renegatë= Braktisja e ni besimi, kauze ose feje për një besim a kauzë të huej. Ni person që dezerton dhe tradhton ni organizatë, vend ose grup parimesh.
Në anglishten britanike, akti i mohimit apo heqjës dorë nga vetqeniesia;

*Shupë = aneks, bashkëngjitje e ni kasolle p’ej dërrasash ni sh’pie, që shërben për gjânat e hedhuna, si dhe për dru e qymyr.

You may also like