Rekordi negativ i Tiranës, bardheblutë me oshilacione sa herë që mungon …një mbrojtës

by admin
Spread the love

Tirana mbylli vitin kalendarik me një humbje në derbi. Një gol i Xhuliano Skukës në minutat e para të takimit vendosi 90-minutëshin me bardheblutë që nuk arritën dot të reagojnë dhe të gjejnë golin e barazimit. Ndaj Partizanit, për Tiranën ishte humbja e dytë radhazi. Pas asaj në Durrës ndaj Teutës, kryeqytetasit humbën edhe ndaj rivalëve të kuq, duke u dhënë mundësinë këtyre të fundit që të shkëputen me katër pikë diferencë.

Kjo ecuri vjen edhe si pasojë e mungesave në mbrojtje. Tirana me këto dy disfata rikthen oshilacionet e fillimit të sezonit, që përkuan me mungesën e Behiratches. Mungesa e një lojtari në qendër të mbrojtjes, sjell humbje të ekuilibrave në prapavijë për skuadrën e Shehit. Në momentin që Tirana pati katërshen Ismajlgeci, Behiratche, Najdovski dhe Toshevski të gatshëm, u rikthye te fitoret dhe rezultatet pozitive.

Për bardheblutë, dy humbje radhazi nuk kanë ndodhur më parë këtë sezon. Për herë të fundit që ndodhte kjo ecuri, me dy disfata radhazi, ishte përfundimi i sezonit të shkuar ndaj Dinamos dhe Kukësit, me Tiranën që e kishte siguruar prej kohësh titullin kampion.

Më pas edhe në Kupat e Europës, Tirana i humbi të katër përballjet, dy ndaj Dudelange dhe dy ndaj Zrinjskit. Gjithsesi, kampionati ka luajtur vetëm 15 javë dhe në vijim kanë mbetur edhe 21 ndeshje deri në fund të sezonit. / Oversport.tv

You may also like