Reja tregon bisedën me Balliun dhe Manaj: Xhaka po tallet me ne, e ka braktisur skuadrën

by admin
Spread the love

Trajneri i kombëtares, Edy Reja ka dalë ditën e sotme në konferencë për shtyp teksa ka folur për dy ndeshjet kualifikuese të Katar 2022 ndaj Anglisë dhe Andorrës. Tekniku i kuqezinjve theksoi se skuadra e tij do të luajë për maksimumin pavarësisht shanseve minimale për kualifikim, ndërsa theksoi se Xhaka e ka braktisur kombëtaren.

Objektivi për dy ndeshjet e radhës? “Objektivat tona janë të njëjta,të luajmë në mënyrën më të mirë. Duke humbur me Poloninë e kemi kompromentuar kualifikimin, por jemi akoma në garë dhe deri kur matematika të na lejojë do të luajmë për gjithçka. Do të përgatitemi për këtë ndeshje në maksimum dhe të shkojmë në Wembley për të bërë më të mirën”.

Pse mungon Balliu dhe Manaj, sulmuesi mungon për atë mungesë të pasimit ndaj Uzunit në ndeshjen me Poloninë? “Jo absolutisht, kam folur me Manaj se ka pasur disa probleme. Ka qenë me grip, ka luajtur edhe pak ndeshje. Më ka thënë se nuk është në gjendjen më të mirë, e kemi vendosur bashkarisht. Kam folur edhe me Balliun dy herë dhe ka pasur një problem me pubalgjinë dhe nuk ka arritur të rikuperoj, pavarësisht se ka luajtur me klubin. Do t’i nënshtrohet sërish testeve. Kisha dëshira ta shihja, më vjen keq sepse në ndeshjen e fundit ka pasur COVID. Ka shumë mungesa që na kondicionojnë dhe janë lojtarë të rëndësishëm si Abrashi, Gjimshiti.

Do t’i kërkoj lojtarëve të japin maksimumin si ndaj Anglisë ashtu edhe ndaj Andorrës pastaj të shohim. Më vjen keq për ndeshjen me Poloninë, nuk e kemi merituar ta humbnim, për të dyja ndeshjet. Nuk patëm mundësi të bënim zëvendësime, jam ende i hidhëruar. Në ndeshjen më të rëndësishme ku mund të arrinim ëndrrën, pati probleme me pandeminë, ndërsa të tjerët ishin të dëmtuar. Polonia ishte mirë fizikisht dhe vuajtëm në 20 minutat e fundit dhe nuk kishim zëvendësime, më erdhi keq. Të lumtur për paraqitjen, por të zhgënjyer për rezultatin. Tani gjërat janë vështirësuar, por do të luajmë shanset tona. Kemi disa shpresa për të luajtur Play-Off, të luajmë deri në fund. Ne duhet të shohim veten, por e di që është e vështirë në Angli”.

Nëse e mbyllim me 18 pikë në vend të tretë, një bast i fituar me drejtuesit e Federatës? “Djemtë e kanë parë që kemi mundësi, kemi fituar dy ndeshje me Hungarinë që vinte nga Europiani. Nëse do të arrijmë 18 pikë do të jetë kënaqësi, mbetet zhgënjimi për të mos shkuar në Botëror. Me Poloninë na kanë ndarë vetëm episode, në të parën pësuam dy gola që mund t’i evitonim edhe në ndeshjen e dytë patëm probleme. Është e rëndësishme që kemi konkurruar me këto skuadra, por nuk duhet gabuar asgjë në këto nivele dhe këtu duhet të rritemi. Na vjen keq se kemi fituar me Hungarinë dhe mungonte pak, nëse do të ishim të plotë me Poloninë do të kishim shumë mundësi për të fituar. Ky është një hidhërim, por edhe nga djemtë kuptohet që është një hap para”.

Berisha, Strakosha në stol me klubet, i druheni këtij fakti? “Jo, sa i përket portierëve jam i qetë. Kush luan është më në formë, por kur vijnë këtu punojnë shumë. Mbase janë edhe më të karikuar ngaqë nuk luajnë në klub. Nuk kam pasur probleme me portierët. Skuadra po rritet, ajo që dua të përmirësohemi është pjesa nga mesfusha e lart. Është edhe portieri i tretë Selmani që kur është thirrur në apel ka qenë gati. Ka treguar se është në gjendje të zëvendësojë Berishën apo Strakoshën. Edhe Hoxha është gjithnjë aty, duhet t’i bëjmë komplimente këtyre lojtarëve pasi nuk janë si të tjerët. Kanë pranuar të rrinë edhe në pankinë apo të shkojnë në tribunë, ndaj duhet vlerësuar edhe aspekti profesional”.

Kumbulla dhe kritikat nga Mourinho? “Nuk ka kaluar moment të mirë te Roma. Është rritur shumë në kombëtare, në ndeshjet me ne ka bërë mirë. Ka besimin e ambientit, është i ri. Ka pasur kritika por i bëjnë mirë, duhet të mësojë. Në ndeshjen ndaj Polonisë ka qenë ndër më të mirët. E shikoj që ka disa pasiguri, por janë eksperienca që duhet t’i kaloj sepse i ka cilësitë. Kam qenë vetë në Romë dhe e di që është ambient i vështirë, por duhet të mendojë të rritet dhe jo për fjalët. Te Roma ndihet pak i kondicionuar se nuk ka shumë minuta, megjithatë kjo i vlen për t’u rritur.

Po shikoj shumë të rinjtë dhe pres shumë. Misioni im ka qenë të bëj një skuadër për Europianin 2024. Të gjej lojtarë të rinj dhe t’i integroj në skuadër, por do t’i shohë në një moment të dytë për të mos bërë eksperimente tani. Kam mbajtur pak a shumë të njëjtën skuadër. Ka ardhur Broja, ndërsa vjen edhe Muçi. Po mendoj t’i jap hapësira në këto dy ndeshje, si titullar apo jo nuk e kam vendosur. Pak nga pak po bëjmë vlerësime dhe aty është edhe Doka, e kam të qartë se çfarë përfaqëson ai për ne. Ka shumë lojtarë që vijnë dhe duan të luajnë, ndaj edhe tani e kam ulur pak numrin e të grumbulluarve sepse t’i dërgosh në tribunë i bën të ndihen keq. Kush nuk do të donte të luante në Wembley? Po punojmë me të rinjtë dhe do të vazhdojmë t’i kemi në vëmendje. Disa kanë bërë mirë dhe disa të tjerë po piqen ende”.

Xhaka- “Sipas meje Xhaka po tallet me ne, sepse ftesa i ka shkuar. Nuk e kam ftuar vetëm një herë në fillim dhe më pas e kam ftuar vazhdimisht dhe ai ka refuzuar. Ai thoshte se nuk ishte mirë dhe pastaj luante me klubin. Ndërsa, Balliu është më shumë pozitiv se Xhaka sepse ka folur me ne dhe ka dëshirë të luaj me kombëtaren. Balliu ka pasur problem shëndetësor dhe nuk doja t’i krijoja probleme. Xhaka kishte gjithnjë justifikime, i kam dhënë mundësi të gjithëve të vijnë. Nuk është sjellë mirë me ne, e ka braktisur kombëtaren dhe e mira është që njerëzit ta dinë”, u shpreh Reja./Supersport


Top Channel

Lexo lajme interesante

You may also like