Reja: Meraku i vetëm është mentaliteti, disa herë tregohemi mendjemëdhenj në fushë

by admin
Spread the love

Shqipëria do të përballet me Katarin në një miqësore që do të zhvillohet më 9 nëntor në Marbella në Spanjë. Do të jetë një sfidë ku trajneri Edoardo Reja do të ketë mundësi të provojë sërish lojtarët që vijnë nga “Abissnet Superiore”. Në prag të kësaj sfide trajneri kuqezi ka dhënë edhe përshtypjet e tij dhe pritshmëritë që ka.

“Ne vazhdojmë punën tonë edhe me këtë ndeshje për të parë lojtarët sidomos ata të Superiores, në mënyrë që të tregojnë vlerat. Për sa i përket miqësores me Arabinë Saudite mendoj se meritonim dhe fitoren. Tani kemi përballë Katarin, një skuadër akoma më të mirë se Arabia Saudite. Një kombëtare që ka marrë lojtarë nga jashtë. Për Shqipërinë është një test shumë i rëndësishëm. Për t’i dhënë një mundësi lojtarëve që të tregojnë se e meritojnë në të ardhmen një ftesë nga Kombëtarja.”

NDRYSHIMET ME KOMBËTAREN A- “Unë jam i bindur se ky grup do të bëj një paraqitje mjaftë të mirë me Katarin, por s’mund të bëj një krahasim të veçantë për çdo individ. Këta lojtarë e meritojnë që të luajnë me Kombëtaren shqiptare. Ne i japim mundësinë sepse i kemi ndjekur vazhdimisht. Për mua nuk ka ndryshim midis kësaj Kombëtareje ose asaj A, për mua janë të gjithë njësoj.”

KUSH MUND TË JETË PJESË E KOMBËTARES- “Kam disa lojtarë që më kanë përshtypje të mira dhe mund t’i ftoj në të ardhmen. Nuk do të doja të merresha me emra të veçantë. Janë të gjithë lojtarë shumë të vlefshëm. Janë lojtarë që kanë vlera të rëndësishme dhe kanë bërë paraqitje shumë të mirë, duke shprehur potencialin e tyre. Këtë herë do të kem mundësi të aktivizoj lojtarë që nuk do të luajnë thjesht 45 minuta, ndoshta do të luajnë 60 minuta apo më shumë. Ndaj Arabisë Saudite, doja që të luanin të gjithë. Do të jetë mundësi e mirë për ta, por edhe për stafin teknik, për të marrë më shumë indikacione.”

E ARDHMJA- “Nuk ka ndryshuar asgjë në krahasim me herën e fundin. Nuk ka asnjë të re. Kur të mbarojë kontrata do të ulemi me të gjithë dhe do të diskutojmë për të ardhmen.”

LOJTARËT QË VIJNË NGA SUPERIORJA- “Vlerësimi im është shumë pozitiv, ka shumë aspekte të mira, siç ka edhe mangësitë e veta. Flitet shpesh që edhe niveli i Serisë A nuk është aq lartë në krahasim me vendet e tjera, dhe kombëtarja italiane e vuan këtë fakt me rivalët e mëdhenj të Europës. Gjërat që duhen thënë është se duhet të punojmë shumë me të rinjtë, me bazën. Lojtarët e kanë marrë formimin e tyre dhe baza është shumë e rëndësishme.

Fokusi në Shqipëri duhet të jetë te futbolli i moshave, për të formuar lojtarët në aspektin taktik. Lojtarët fizikisht ishin shumë mirë, por nga ana taktike kanë probleme. Duhet të jemi më shumë kompetitiv për t’u rritur. Kam ndjekur Kombëtaren U-17, mund të them që ka një përmirësim gradual, duhet të përmirësohemi. Janë shumë të vlefshme këto teste, për të parë se ku jemi dhe sa të aftë jemi për t’u përballur me Kombëtaret e tjera. Për lojtarët e kampionatit shqiptar është mundësi e mirë për eksperiencë. Të rinjtë duhet të rriten sa më mirë dhe të përmirësohen veçanërisht në aspektin taktik.”

MUNGESA E RROCËS DHE NDRECËS- “Ky është një diskutim i përhershëm. Ne nuk mund t’i marrim dot të gjithë. Po të vësh re listën mosha më e madhe është 2 vjeç. Ka dhe lojtarë të tjerë të vlefshëm në kampionatin shqiptar. Por unë kam zgjedhur ata që duken më të përshtatshëm. Në të ardhmen do të kemi mundësinë t’i japim shansin lojtarëve të tjerë. Mendoj se këta janë lojtarët që unë kam zgjedhur dhe që mendoj se do t’i shërbejnë të ardhmes. Një problem është dhe fakti që kjo nuk është datë e UEFA-s dhe klubet nuk i japin leje kollaj. Do të donim të kishim dhe lojtarë të tjerë, por klubet nuk i lënë. Një rast konkret ishte me një lojtar të Lecces, i datëlindjes 2003, nuk na e dhanë lejen. Unë fola personalisht, por nuk na e lanë.”

MIQËSORET ME ITALINË DHE ARMENINË- “Pritshmëritë e mia janë që të bëjmë një paraqitje sa më të mirë. sa i përket kompeticionit zyrtar, unë mendoj se i kemi shanset tona për t’u kualifikuar.

Polonia dhe Çekia janë kundërshtarë shumë të fortë, por nëse rregullojmë gabimet tona ne mund të jemi kompetitiv. Për mua të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme. Për mua e rëndësishme është edhe Katari. Lojtarët kanë një rast për të treguar edhe vlerat e tyre. E njëjta gjë është dhe ndeshja me Italinë, që motivimi është diçka tjetër. Për mua e rëndësishme është të tregojmë vlerat tona. Meraku i vetëm është mentaliteti. Disa herë tregohemi mendjemëdhenj me veprimet tona në fushë. Është i vetmi problem që unë kam hasur te Kombëtarja shqiptare dhe mendoj se duhet rregulluar.”

You may also like