Reja: Gjeorgjia e vështirë, Asllani s’ka frikë! Broja? Kur ndez dritat…

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Edy Reja, pas barazimit të Shqipërisë në miqësoren kundër Gjeorgjisë, ka analizuar atë që ndodhi në fushë në RTSH, ndërkohë që foli edhe për emra të veçantë si Broja e Asllani. “Pas ndeshjes me Spanjën motivimi ishte krejt ndryshe. Sigurisht kur ke ndeshje të tilla kaq afër, duhet të bësh rotacion.

Jam i kënaqur me Asllanin, ka treguar personalitet, nuk ka frikë në fushë. Po përpiqem të gjej lojtarë të rinj, t’i afroj dhe ta bëj skuadrën më kompetitive. Në miqësore është e rëndësishme të fitosh lojtarë të rinj. Duhet pak kohë për t’u integruar. Edhe Vrioni bëri mirë, por i duhet kohë. Me kalimin e kohës, do të përpiqemi të afrojmë edhe ndonjë lojtar tjetër, për ta bërë më kompetitive skuadrën”.

Më tej italiani shtoi: “Gjeorgjia është një skuadër që ka mundur Bosnjë, një skuadër shumë e vështirë për t’u përballur. E dinim që ishte skuadër e fortë. Motivimi dhe karikimi i skuadrës pas ndeshjes me Spanjën ishte disi i vështirë. Djemtë vrapuan shumë dhe dhanë maksimumin. Në 20 minutat e fundit u përpoqëm të gjenim golin, por nuk ia dolëm. Këto skuadra lenë shumë pak hapësira dhe ne i vuajtëm mungesën e hapësirave dhe ngjeshjen mbrapa”.

“Asllani? Edhe Asllani edhe Gjasula luajnë në të njëjtin pozicion, përpara mbrojtjes. Ka pasime shumë të mira. Ndonjëherë është shumë i shpejtë dhe lojtar i rëndësishëm. Do të ketë një karrierë të madhe sipas meje”.

“Moduli? Mund edhe të provoja diçka ndryshe, por nuk kisha karakteristikat e duhura për të bërë ndryshimet e duhura. Duhet të kesh 2 skuadra të përshtatshme për të bërë prova. Ndoshta në një ndeshje tjetër, me siguri do të bëj diçka ndryshe. Gjimshiti ka qejf të luajë me 3 në mbrojtje”.

“Broja? Nuk ishte në ditën e tij më të mirë, kishte probleme në kavilje. Kur ndez dritat është i papërmbajtshëm, por nuk është lojtar për miqësore. Ka nevojë për stimuj më të mëdhenj, për skuadra më cilësore”, përfundoi Reja. /  oversport.tv

You may also like