Refuzimi i Thaçit e Veselit për t’u takuar me ministren Haxhiu, flet Çollaku i cili i takoi para një jave

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli nuk duan të takohen me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Bekim Çollaku, i cili i takoi një javë më parë, ka folur për një proces tepër të ndërlikuar në Hagë, i cili, sipas tij, duhet të monitorohet nga afër. Ai tregoi edhe për gjendjen e dy politikanëve që jo shumë vjet më parë ishin në krye të shtetit të Kosovës.

Ish-pjesëtarët e UÇK-së, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Hysni Gucati, Nasim Haradinaj dhe Pjetër Shala – të cilët po mbahen në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë – do të ndajnë një pjesë kohe të dedikuar për vizitat familjare për t’u takuar me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Të njëjtën nuk do ta bëjnë ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentari Kadri Veseli.

Para se të nisej drejt qytetit holandez, Haxhiu nga Aeroporti i Prishtinës foli për vizitat e planifikuara. “Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli nuk na kanë pranuar, kurse gjykata nuk na e ka mundësuar takimin me Salih Mustafën”.

Ish-ministri i Integrimeve Europiane, Bekim Çollaku, para një jave i vizitoi Thaçin edhe Veselin. Vizita korrespondoi me përvjetorin e 23-të të fillimit të bombardimeve të NATO-s për ta ndalur luftën në Kosovë. Ai tha për Gazetën Express se “Gjykata Speciale nuk është një çështje më të cilën duhet të merret vetëm Ministria e Drejtësisë”.

“Të gjitha institucionet tona shtetërore duhet të luajnë rolin e tyre në mënyrë që të sigurojnë një proces të drejtë. Për më tepër, edhe shoqëria civile, mediat dhe organizatat tjera të specializuara për çështje të sundimit të rëndit dhe ligjit, duhet ta monitorojnë dhe ta përcjellin nga afër këtë proces gjyqësor”, tha Çollaku.

I pyetur nëse institucionet e vendit po sillen siç duhet me rastin e ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në paraburgim, Çollaku konsideroi se kjo është “pyetje shumë komplekse” dhe e cila “nuk ka një përgjigje të thjeshtë”. Por ai tha se ky proces është jetik për historinë e Kosovës.

“Ky proces, është tepër i ndërlikuar dhe përfundimi i tij është jetik jo vetëm për drejtësinë, mirëpo edhe historinë tonë më të lavdishme. Duke qenë i një rëndësie të tillë, padyshim që institucionet tona shtetërore e kanë për detyrë që të bëjnë një monitorim strikt të këtij procesi, por sigurisht pa tentuar të interferojnë në drejtësi. Thelbësore për këtë proces është që të sigurohet një gjykim i drejtë dhe transparent”, tha ai.

Bekim Çollaku foli edhe për gjendjen e Thaçit dhe Veselit.

“Mund të konfirmoj se Presidenti Thaçi dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës z. Veseli gëzojnë shëndet të plotë si në aspektin fizik, po ashtu edhe në atë emocional. Kjo gjendje e tyre është e natyrshme duke marrë në konsideratë faktin se bëhet fjalë për dy liderë shtetërorë të cilët jeta i ka sfiduar me sfida shumë të rënda qysh në moshë të re. Prandaj, edhe në këtë proces të vështirë dhe të padrejtë, jo vetëm z. Thaçi dhe Veseli, por të gjithë luftëtaret e lirisë që ndodhën në paraburgim, janë dhe mbesin krenar dhe të pathyeshëm sepse janë të bindur se gjykata do të dëshmoj pafajësinë e tyre”, tha ai.

Çollaku tregoi se gjatë kësaj vizite i rastisi ta takonte edhe kreun e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucatin. “Kishte një vizitë nga një mik i tij gjatë kohës kur unë ndodhesha në vizitë”, tha ai.

Nga Gjykata Speciale nuk dhanë informacione nëse Thaçi dhe Veseli refuzuan kërkesat për takim.

You may also like