Raporti i Kantar BrandZ / Apple, marka më e vlefshme në botë për vitin 2022

by admin
Spread the love
Vlera e përgjithshme e 100 markave më të vlefshme në botë u rrit me 23%, duke arritur në 8,7 trilionë dollarë në vitin e fundit

 

Apple rrëmben vendin e parë në klasifikimin e Kantar BrandZ Most Valuable Global Brands 2022 (Markat më të vlefshme në botë për vitin 2022) dhe është në rrugë të mbarë për t’u bërë marka e parë 1 trilion dollarëshe.

Apple, me vlerë marke 947,1 miliardë dollarë, dallohet për shkallën e lartë të diferencimit dhe diversifikimin e vazhdueshëm të portofolit të hardware, software dhe shërbimeve.

Google ngjitet në vend të dytë dhe është një nga kompanitë me rritjen më të shpejtë në klasifikim, duke e rritur vlerën e markës me 79%, në 819,6 miliardë dollarë. Ndërsa Amazon renditet e treta, me vlerë marke 705,6 miliardë dollarë.

Vlera e përgjithshme e 100 markave më të vlefshme në botë u rrit me 23%, duke arritur në 8,7 trilionë dollarë në vitin e fundit, duke theksuar rëndësinë e fuqisë së markës në një ekonomi globale të paqëndrueshme. Këtë vit, 37 marka përmirësuan renditjen në klasifikim. Në vitin 2022, më shumë se tre të katërtat e vlerës së markës vjen nga kompani amerikane.

Kategoritë Media & Entertainment, Business Solutions & Technology Providers e Retail përfaqësojnë më shumë se gjysmën e vlerës totale në klasifikimin e 100 markave më të vlefshme në botë.

Studimi global i Kantar BrandZ thekson se Microsoft, Zara dhe IBM kryesojnë në indeksin e ri Kantar Sustainability BrandZ, që tregon se si qëndrueshmëria përfaqëson 3% të brand equity (kapitali i markës), i cili parashikohet të rritet.

Tesla është një nga dëshmitë më të mëdha të suksesit këtë vit, e renditur në vendin e 29-të (nga i 47-ti) duke pasqyruar trendin e shitjeve të automjeteve elektrike në mbarë botën, i cili është më shumë se dyfishuar në vitin 2021.

Louis Vuitton (n. 10; 124,3 miliardë dollarë) është marka e parë e luksit që hyn në Top 10, duke treguar rritjen e tregut të luksit në botë dhe veçanërisht në Kinë. Louis Vuitton regjistroi rritje prej 64% të vlerës së markës këtë vit dhe është marka e parë europiane që arrin në Top 10 që nga viti 2010.

Hyrjet e reja në klasifikimin e vitit 2022 u përkasin kategorive të ndryshme. Aramco, kompani lider në energji dhe produkte kimike, u përfshi për herë të parë në klasifikim, në vendin e 16.

Shoqëria indiane për shërbime dhe konsulencë informatike, Infosys, u rendit e 64-ta. Mercado Libre, ekosistemi më i madh për tregti dhe pagesa online në Amerikën Latine, hyri për herë të parë, duke u renditur e 71-ta.

Interesante është se markat teknologjike dhe ato të luksit regjistruan rritjen më të shpejtë: 46% për teknologjinë e konsumit dhe 45% markat e luksit. Edhe markat e bankave (+30%) dhe ato automobilistike (34%) regjistruan rritje befasuese.

Këto shifra krahasohen me rritjen e sektorëve si veshje (20%) dhe kujdesi personal (17%). Në nivel kategorie, Wells Fargo ishte e vetmja markë e re, e cila u ngjit në vendin e parë në kategorinë e bankave, duke zëvendësuar markën kineze, ICBC.

Raporti global i Kantar BrandZ i vitit 2022 (edicioni i 17) zbulon rëndësinë në ndërtimin e markës për t’u mbijetuar paqartësive të tregut, thotë Martin Guerrieria, drejtues i Kantar BrandZ. “Markat në përgjithësi janë aseti më i madh i kompanive dhe shtojnë vlerë të madhe në bilanc.

Në kohëra të pasigurta, vendimet e drejtuesve për investime në marketing mund të mbështeten nga metrika të provuara.

Vlerësimet e markave të Kantar BrandZ tregojnë qartësisht se si marketingu i mirë lidhet me vlerën e markës, në afat të shkurtër dhe të gjatë”.

 

/ Financial Express

You may also like