Rama sulmon Metën, Bashën dhe Berishën dhe jep porositë për 6 marsin: Në 6 sheshe, për 12 ose 18 përsheshe

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Kryeministri Edi Rama ka sulmuar presidentin Ilir Meta, kreun e PD Lulzim Basha si dhe ish-kryeministrin Sali Berisha teksa ka folur për zgjedhjet e pjesshme vendore. Fillimisht ai e nisi me dekretin e Presidentit, duke e akuzuar Metën se mban peng të hënës së tij institucionin e Kreut të Shtetit.

Rama kërkoi në mbledhjen e grupit parlamentar të PS që në këto zgjedhje të ketë organizim të mirë, por pa lënë pas dore asnjë angazhim tjetër dhe duke mos e humbur fokusin nga këshillimi kombëtar në gjithë territorin e vendit.

“Një objektiv i ri afatshkurtër është shfaqur papritur para nesh me nxjerrjen e dekreteve presidenciale për zgjedhjet e pjesshme vendore në 6 bashki pas një periudhe të gjatë shkeljeje dhe shtypjeje të Kushtetutës nga ana e zotërisë, i cili e mban institucionin e Kreut të Shtetit peng të hënës së tij, edhe për pak kohë fatmirësisht. Ne do ta përmbushim me seriozitet detyrimin tonë për të garuar që në këto 6 njësi vendore të zgjidhen kandidatët e PS. Për fushatën do të organizohemi sa më mirë, por pa lënë pas dore asnjë angazhim tjetër dhe duke mos e humbur fokusin nga këshillimi kombëtar në gjithë territorin e vendit. Sepse këshillimi kombëtar është dhe një shtysë që gjithë deputetit të kthehen tek njerëzit”, deklaroi Rama.

Ai tha më tej se forcat e angazhuara në këto 6 bashki do të jenë forcat vendore, deputetët dhe partia e këtyre njësive, së bashku me drejtuesin politik të qarkut. Rama kërkoi sa më pak politikë, pasi sipas tij panorama politike është e qartë duke folur për një opozitë të përçarë.

“Mesazhet tona duhet të jenë të lidhura thuajse tërësisht me hallet, me problemet dhe me shpresat e komuniteteve vendore të këtyre bashkive. Ndërkohë që sa më pak politikë në këto zgjedhje, aq më mirë, pasi politikisht panorama e këtyre zgjedhjeve është e qartë. Nga njëra anë ne me ofertën tonë të punës për komunitetin, nga ana tjetër kundërshtarët tanë politikë, në 6 sheshe, për 12 ose 18 përsheshe, varet si do rreshtohen. Po 12 minimumi, 18 e mundshme, edhe më shumë mbase. Nga njëra anë ne, 6 kandidatë, të cilët do të ofrojnë një mundësi zgjedhjeje të bazuar tek puna konkrete, nga ana tjetër ata me 12, 18 ose më shumë që do të luftojnë për mbijetesën politike të 2-3 udhëheqësve partiakë këtu në Tiranë dhe që s’kanë asnjë lidhje me këto zgjedhje në vetvete. Nga njëra anë ne, këta që jemi me të mirat, me të metat tona, në një garë për të punuar më shumë, më mirë, për Shkodrën, për Durrësin, për Dibrën, për Vorën, për Lushnjën dhe Rrogozhinën, nga ana tjetër ata me bravat, varetë, trastat me dekorata, të gjithë kundër të gjithëve, për të provuar forcat mes tyre në kurriz të atyre bashkive dhe hipur mbi shpinën e anëtarësive të këtyre partive. Dy PD, njëra më e madhe se tjetra dhe një tjetër parti, më e madhe se të dyja bashkë, ngjitur me të madhen e të trejave. Tre lider, njëri grata, tjetri non grata, i treti të dyja bashkë edhe grata dhe non grata. Tre popuj nga mbrapa tyre”, tha Rama.

You may also like