Radev është kundër heqjes së vetos për Shkupin

by admin
Spread the love

Bullgaria zgjedh presidentin e saj në rrethin e dytë zgjedhor. Sipas rezultateve të rrethit të parë, mbështetjes politike dhe anketave, zgjedhjet do t’i fitojë për një mandat të dytë kreu i deritanishëm shtetit bullgar Rumen Radev.

Deri sa të formohet qeveria e re në Sofje pas zgjedhjeve parlamentare të dy javëve më parë, pozitën politike në lidhje me kontestin me Maqedoninë e Veriut pritet ta përfaqësojë përsëri Radev.

Ai kishte paralajmëruar edhe gjatë fushatës zgjedhore se nuk do të ketë derë të hapur për fillimin e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE deri sa nuk pranohen kushtet e palës bullgare. Kurse formimi i qeverisë së re në shtetin fqinj me në krye partinë “Vazhdojmë me ndryshime” dhe kryeministrin potencial Kirill Petkov, pritet të marrë më shumë kohë.

Por Shkupi nuk i ka humbur shpresat. LSDM-ja thotë se negociatat mes dy vendeve do të vazhdojnë në frymën evropiane.

Qeveria, si edhe deri më tani, udhëheq politika të mira ndërfqinjësore me të gjithë fqinjët, përfshirë edhe Bullgarinë. Presim nga partneri jonë evropian të udhëheqë politikë në frymën evropiane dhe ta pranojë dorën e zgjatur të Maqedonisë së Veriut”, thotë Goce Georgievski, nga LSDM

Edhe kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski, nga Ohri, u bëri thirrje autoriteteve bullgare të heqin bllokadën për Maqedoninë.

Apeloj deri te Qeveria e re e fqinjit lindor të tejkalojë veten dhe t’i harrojë ata kërkesa hegjemoniste që i kanë pasur në të kaluarën paraardhësit e tyre dhe në frymën e vlerave evropiane që janë promovuar gjatë vetë formimit të BE-së të mos e pengojnë Maqedoninë në fillimin e Negociatave me BE-në sepse ky popull dhe Maqedonia e meritojnë atë gjë”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së

Në mes të muajit dhjetor do të mbahet samiti i ardhshëm i vendeve të BE-së të cilat do të diskutojnë edhe për zgjerimin. Nëse deri atëherë nuk ka një marrëveshje mes Shkupit dhe Sofjes, kjo e fundit do të mbajë në fuqi veton për të mos pranuar fillimin e negociatave të anëtarësimit për Maqedoninë e Veriut, dhe për pasojë, edhe për Shqipërinë.

You may also like