Rabiot dhe Fagioli vendosin derbin, Juve parakalon Interin në renditje

by admin
Spread the love

Spektakël, emocione dhe gola ka dhuruar derbi i Italisë në ekranin e Oversport dhe Tibo. Interi dominon pjesën e parë, Juventusi shënon dy gola në pjesën e dytë dhe merr një fitore të çmuar që e ngjit në kuotën e 25 pikëve në klasifikim.

Bardhezinjtë fitojnë 2-0 përballë rivalëve të vjetër supersfidën që mbylli javën e 13-të të Serie A. Juventusi merr suksesin e katërt radhazi në kampionat, ndalet Interi që tregon se nuk di të fitojë përballë rivalëve direktë.

Interi shfaqet më kërkues në pjesën e parë dhe jep sinjalin e parë me Lautaron, por gjuajtja e tij përfundon jashtë. Juventusi përgjigjet me Bremer, që mundohet të devijojë me akrobaci topin në rrjetë. Zikaltërit rrisin lojën me kalimin e minutave dhe I afrohen golit të avantazhit me Dzeko dhe Dumfries. Mbyllet me dominimin e miqve, por pa gola pjesa e parë në Torino.

Juventusi nis me gol pjesën e dytë. Rabiot zhbllokon sfidën dhe dërgon topin në rrjetë pas një asisti të Kostic.

Pak minuta më vonë Danilo dyfishon shifrat,  por goli anulohet nga VAR për një prekje topi me dorë. Interi hidhet në sulm në kërkim të golit të barazimit dhe Lautaro humbet një mundësi të mirë për të shënuar.

Juventusi përgjigjet me Kostic, që është i pafat pasi gjuajtja e tij ndalet në shtyllë. Loja është e bukur, plot ritëm dhe emocione dhe me raste në të dyja portat.

Zikaltërit sulmojnë me shumë forca dhe bardhezinjtë i ndëshkojnë me një kundërsulm perfekt. Sërish Kostic që jep një asist për Fagiolin, që shënon golin e dytë për Juventusin.

Mbyllet 2-0 për Juventusin derbi I Italisë. /Oversport.tv

You may also like