Qyteti i Nju Jorkut në prag të Vitit të Ri

by admin
Spread the love

Çdo vit më 31 dhjetor, njujorkezët dhe turistët dynden në sheshin “Times Square” për festimin e Vitit të Ri. Edhe këtë vit qyteti i Nju Jorkut bëri përgatitjet e nevojshme për këtë ngjarje të madhe.

Pritja e vitit të ri në sheshin “Times Square” të Nju Jorkut është ndër traditat më të dashura të qytetit, që është tërheqëse si për banorët ashtu dhe turistët. Çdo vit, mijëra njerëz mblidhen në rrugët në qendër të Manhatanit për të parë rënien e topit të kristaltë.

Numrat 2024 me drita, që do të ndriçojnë qiellin gjatë rënies së topit pas mesnate për të shënuar ardhjen e Vitit të Ri, tashmë kanë mbërritur në Nju Jork. Ato erdhën nga Los Anxhelosi disa ditë para Krishtlindjeve.

Njerëzit tashmë mund t’i shohin ato nga afër në sheshin “Times Square” dhe mund të bëjnë foto para se ato të dërgohen në katin e 25-të të rrokaqiellit “One”, pikërisht nën topin me xhama kristali që do të bjerë në natën e Vitit të Ri.

“Ne e kemi lëshuar topin në sheshin ‘Times Square’ që nga viti 1907. Nata e parë e Vitit të Ri në “Times Square” u shënua në vitin 1904, kur zyrat e gazetës New York Times u zhvendosën në ndërtesën “One Times Square”. Një stacion i trenit u hap në shehin Times Square për herë të parë, dhe emri i sheshit u ndryshua nga “Long Acre Square” në “Times Square”, thotë Tom Harris nga organizata “Times Square Alliance”.

Një tjetër traditë e pandryshuar e shekullit të kaluar është shpërndarja e konfetit, copave të letrës me ngjyra të ndryshme. Por kësaj tradite i është shtuar pak magji. Sipas një legjende të qytetit, nëse shkruan dëshirën tuaj në këto copa letre dhe dikush e kap atë, dëshira realizohet.

Njerëzit kanë mundësinë të shkruajnë dëshirat e tyre në këto copa letre në sheshin “Times Square”, ose mund t’i paraqesin dëshirat e tyre në internet.

“Mendoj se do të jetë kënaqësi që letra me dëshirën time do të përfundojë në duart e dikujt tjetër. Dikush tjetër mund ta kapë atë, ta lexojë dhe pastaj ta mbajë në Vitin e Ri. Mendoj se është një ide vërtet e interesante!”, thotë Sophie, një banore e Nju Jorkut. Fernando jeton në lagjen Brooklyn dhe i pëlqen të vijë në sheshin “Times Square” natën e Vitit të Ri.

“Kam qenë këtu vitin e kaluar. Po filmoja dhe transmetoja në kanalin tim në YouTube!”- thotë ai, raporton VOA. Ata që kanë ndjekur në vitet e kaluara rënien e topit në Nju Jork, thonë se personat që nuk e kanë bërë këtë më parë duhet të mbërrijnë para mesditës për të siguruar një vend të mirë shikimi të ngjarjes ikonike, e cila ndiqet nga mijëra njerëz që përballen me të ftohtin në sheshin “Times Square” dhe miliarda të tjerë në mbarë botën, që e ndjekin atë në televizion.


Top Channel

You may also like