Qytetarët që t’i kryejnë obligimet në bankë shfrytëzojnë pauzë ose ditë të lirë – Shqip

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Orari i punës në ekspoziturat në bankat në vend është deri në orën 16. Një pjesë e vogël e tyre punojnë deri në orën 17. Kjo është periudha në të cilën qytetarët mund t’i përfundojnë obligimet në sportelet e bankave, por ata obligimet e punës të të cilëve nuk lejojnë të dalin nga puna, nuk kanë mundësi ta bëjnë atë.

Një pjesë e tyre vlerësojnë se orari i punës në banka nuk korrespondon me nevojat e pjesës më të madhe të qytetarëve sepse ka njerëz të cilët punojnë vetëm në ndërrimin e parë dhe nuk kanë mundësi të dalin nga puna, ndërsa ata të cilët kanë një mundësi të tillë, i shfytëzojnë pauzat që të kryejnë punë në bankë.

“Bankat nuk duhet të punojnë deri në orën 16:00, sepse kjo i heq mundësinë të punësuarve të kryejnë obligimet e tyre në banka. Ata janë të detyruar të përdorin pauzat nga puna për të bërë ndonjë pagesë, për të paguar faturat në bankë… dhe shpesh për shkak të trafikut të rënduar në sportele vihen në situatën që të qëndrojnë gjatë në bankë” , thonë bashkëbiseduesit e anketuar nga MIA.

Ka edhe të tillë të cilët janë të detyruar të marrin ditë të lirë nga puna që t’i kryejnë obligimet në bankë.

“Orari aktual i punës deri në orën 16:00 kufizon shumë qytetarë për të përfunduar punën për të cilën duhet të ndahet më shumë kohë në bankë. Ata janë të detyruar ta bëjnë këtë duke shfrytëzuar ditë të lirë dhe mungesa në vendin e punës. Jo të gjithë në vend janë pensionistë dhe mund të zgjedhin kur të shkojnë në bankë”, thonë qytetarët.

Propozojnë që çdo bankë të ketë nga një filial i cili do të punojë pasdite ose të shtunën.

Orari i punës i bankave është vendim afarist i çdo banke individualisht, por deri më tani asnjë nga ato nuk punon pas orës 17.

MIA kontaktoi edhe me Asociacionin e Bankave të Maqedonisë prej ku na thanë se bankat e përshtatin orarin e tyre të punës me nevojat dhe shprehitë e reja të klientëve dhe se qytetarët e kanë në dispozicion shërbimet digjitale në banka me të cilat shërbimet janë në dispozicion 24/7.

“Nevojat dhe shprehitë e klientëve kanë ndryshuar në mënyrë drastike vitet e fundit, për këtë arsye bankat në vend e kanë përshtatur të gjithë funksionimin e tyre me tendencat e reja pikërisht për të përmbushur nevojat e reja të klientëve. Produktet dhe shërbimet bankare janë tashmë në dispozicion 24/7 dhe mundësitë e kryerjes së transaksioneve bankare janë të pakufizuara falë shërbimeve digjitale në banka që është në dispozicion të klientëve nga çdo vend dhe në çdo kohë, thonë nga ABM.

Theksojnë se klientët kanë mundësi 24/7 të shfrytëzojnë zona digjitale në ekspoziturat e bankave ose shërbimet mobile dhe elektronike në banka nga shtëpia e tyre, zyra ose çdo vend tjetër në botë.

Qytetarët nuk pajtohen me pohimet e tilla duke theksuar se jo të gjithë dinë të përdorin shërbimet elektronike të bankave dhe se për disa shërbime duhet të vizitojnë sportelet e bankave, si për shembull për të marrë informacione apo për të përfunduar procedurën e tërheqjes së kredisë. /MIA

You may also like