Qytetarët me referendum të vendosin për marrëveshjen me Serbinë, duhet ligj i veçantë

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Mungesa e vullnetit politik, ka bërë
që Kosova mos ta ushtrojë të drejtën e saj për referendum, raporton Ekonomia
Online.

Kushtetuta e Kosovës e parasheh një
dispozitë lidhur me mundësinë e mbajtjes së referendumit dhe rregullimit apo
zgjidhjes së çështjeve të ndryshme, me anë të referendumit, por për këtë
fillimisht duhet të hartohet një ligj për referendumin dhe të miratohet në
Kuvend.

Ndërkohë, njohësit e Kushtetutës, e
vlerësojnë si të nevojshme një ndryshim të tillë, sidomos për çështjet jetike
të shtetit, siç është marrëveshja finale me Serbinë.

Mazllum Baraliu, profesor i të Drejtës
Kushtetuese thotë për Ekonomia Online se referendumet në Kosovë mund të
ndodhin, pasi të nxirret një ligj i veçantë.

Ai thotë se një ligj i tillë nuk ka
ndodhur për mungesë të vullnetit politik.

“Meqë me Kushtetutën e Kosovës në
fuqi, institucioni i referendumit është paraparë, por që ka mbetur me ligj të
veçantë për referendum të rregullohet çështja e mbajtjes së saj si modeli më i
drejtpërdrejtë i ushtrimit të demokracisë nga ana e popullit. Kjo nuk ka
ndodhur deri më tani, po të ketë ndonjë kërkesë për referendum, nuk mund të
realizohet për arsye sepse elitat politike deri më tani nuk kanë pasur
interesim dhe vullnet që ne të kemi një ligj për referendumin”, u shpreh Baraliu.

Baraliu thotë se përfundimi i dialogut
do duhej të përfundonte edhe me një referendum në Kosovë. Njëjtë thotë se është
paralajmëruar edhe nga shteti i Serbisë.

“Domosdoshmërisht është e nevojshme që
ne të kemi një ligj për referendumin dhe kjo duhet të jetë kërkesë edhe e
shoqërisë civile dhe botës akadamike, e sidomos partisë në pushtet, në mënyrë
që për çdo çështje e sidomos përfundimi i dialogut, të shkojë përmes
referendumit. Serbia, ka paralajmëruar që çështjen eventuale të ndonjë
marrëveshje të rëndësishme, e kanë premtuar që të kalojë përmes referendumit”,
u shpreh ai për EO.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës
për Drejtësi (IKD), thotë për Ekonomia Online se referendumi mund të bëhet nëse
do të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet subjekteve politike,
pasi që për miratimin e tij, duhet një numër i konsiderueshme i votave pro.

“Përderisa me Kushtetutë janë
përcaktuar disa situata përmes të cilave mund të rregullohen me referendum në
Republikën e Kosovës, partitë politike ende nuk kanë arritur që ta miratojnë
një ligj për referendumin, e cili do ta përcaktonte fushat pastaj në të cilat
mund të rregullohen me referendum, përjashtimisht atyre me Kushtetutë janë të
përjashtuara në mënyrë taksative. Kushtetua e Kosovës e përmend për shembull që
me referendum mund të rregullohen çështje që janë të ndërlidhura me
sovranitetin e Kosovës”, u shpreh ajo.

Duke përmendur inicimin e
ish-presidentit Hashim Thaçi, Miftaraj thotë se si model është mëndur me disa
mijë nënshkrime.

Sipas tij, i njëjti ligj sot e asaj
dite ka mbetur në sirtarët e Kuvendit.

“Me qëllim që të përcaktohen kushtet, kriteret dhe procedurat sesi mund të mbahet një referendum, kjo duhet të rregullohet me ligj dhe pastaj ky ligj kushtet sesi mund të mbahet referendumi. Në projektligjin e vitit 2018, i cili nuk është miratuar asnjëherë në Kuvendin e Kosovës, ishte paraparë prej 100 mijë nënshkrimeve për të iniciuar referendumin, dhe ky numër mund të shkurtohet në 20 mijë apo 50 mijë, pra varësisht sesi e përcaktojnë forcat politike në Kuvendin e Kosovës. Në referendum pastaj mund të përcaktohen fushat që mund t’i prekë ky referendum të cilat janë me interes për qytetarët dhe për shtetin e Kosovës, të cilët mund të marrin bekimin e qytetarëve përmes referendumit”, u shpreh Miftaraj për EO.

You may also like