Qeveria e Kosovës vendos sanksione ndaj pushtimit rus në Ukrainë

by admin
Spread the love

Republika e Kosovës iu është bashkuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Këshillit të BE-së për të vendosur sanksione ndaj Rusisë, pas fillimit të pushtimit të Ukrainës, raporton Ekonomia Online.

Vendimi për këto sanksione u morën në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, pas kërkesës nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se nuk është kjo hera e parë që Kosova i vë sanksione Rusisë.

Kurti theksoi se kanë vendosur që të miratojnë një pako sanksionesh, në bashkërendim me botën e lirë dhe paqedashëse.

“Qeveria e Kosovës është duke bashkëpunuar ngushtë me Bashkimin Evropian, NATO-n, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Mbretërinë e Bashkuar, për të kundërshtuar luftën pushtuese të Rusisë, por edhe për t’u përballur me ndikimin e pasojat e mundshme në rajonin tonë”, tha Kurti.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se këto sanksione janë në përputhje me ato të SHBA-së dhe BE-së.

“Pas agresionit të djeshëm ushtarak nga Rusia në Ukrainë dhe duke marrë parasysh shkeljet flagrante të integritetit territorial është e rëndësishme që Kosova t’i bashkohet shteteve në marrjen e veprimeve. Ministria e Punëve të Jashtme propozon për miratim e sanksionet në përputhje me sanksionet e ShBA-së ndaj veprimeve që minojnë dhe kërcënojnë integritetin territorial”, ka thënë Gërvalla.

Në ndërkohë, presidenti i SHBA, Joe Biden mbajti një fjalim dje mbi situatën në Ukrainë, ku dënoi Rusinë për fillimin e sulmit ushtarak të enjten dhe njoftoi sanksione të reja të forta dhe kufizime për atë që mund të eksportohet në Rusi.

You may also like