Putin kërkon kontrollin e çmimeve, ndërkohë që shitjet e makinave në Rusi bien në nivele rekord

by admin
Spread the love
REUTERS/Anton Vaganov

Të mërkurën, Presidenti Vladimir Putin i kërkoi qeverisë ruse të kontrollojë çmimet e automjeteve, pasi një drejtues i industrisë deklaroi se sanksionet e Perëndimit mund t’i tkurrin shitjet vjetore nën 1 milion njësi për herë të parë që nga fillimi i regjistrimeve.

Sipas Maxim Sokolov, kreu i shtëpisë kryesore automobilistike ruse Avtovaz, shitjet e makinave kanë rënë me më shumë se 60% këtë vit dhe mund të arrijnë në më pak se një të katërtën krahasuar me një dekadë më parë.

Një shkak i rënies së këtij viti lidhet me largimin e shtëpive automobilistike të huaja si Renault  dhe Mercedes-Benz dhe kolapsit të kërkesës për shkak të një mobilizimi masiv për konfliktin në Ukrainë.

Një shkak tjetër i rëndësishëm është edhe rënia e nivelit të jetesës dhe rritja e çmimeve, si dhe vështirësisë për të gjetur përbërës të prodhuar jashtë, pas vendosjes së një sërë sanksionesh nga vendet perëndimore, në përgjigje të konfliktit në Ukrainë.

Modeli i fundit Lada u prodhua pa airbag ose frena antibllokim.

Duke folur me zyrtarët e lartë, Putin pranoi se situata “nuk është e thjeshtë” dhe i kërkoi qeverisë të përpiqet t’i bëjë makinat më të leverdishme, duke nënkuptuar që çmimet janë rritur në mënyrë të padrejtë.

“Dua të tërheq vëmendjen tuaj mbi nevojën për një kontroll të vazhdueshëm të çmimeve, që në këtë situatë të vështirë, për të cilën të gjithë jemi të vetëdijshëm, duke përfshirë edhe logjistikën, askush të mos abuzojë apo të rrisë në mënyrë të paarsyeshme çmimet e makinave”, – tha ai.

“Shpresoj që si ju, edhe Shërbimi Federal Antimonopol, ta bëni gjithnjë këtë gjë”

Ministri i Tregtisë, Denis Manturov, i tha Putin se linjat e montimit të shtëpive automobilistike ruse, mes të cilave Avtovaz, prodhuesi i  Lada dhe filiali Renault deri në mars, GAZ, Kamaz dhe UAZ janë në fazë rritje.

Duke pasqyruar një tablo pozitive, ai deklaroi se prodhimi i Moskvich (“moskovite”), një markë e epokës sovjetike, e lënë në harresë pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, do ta marrë veten brenda fundit të muajit, në një stabiliment të blerë nga Renault.

Megjithatë, ai vuri në dukje se tregu është mbështetur nga kredi dhe subvencione për prodhuesit dhe se këtë vit janë shitur 55.000 makina, me mbështetjen e qeverisë.

Manturov propozoi edhe zgjerimin e financimit preferencial të automjeteve për personelin ushtarak, duke shtuar: “Sot mund të flasim për një tendencë në zhvillim drejt rimëkëmbjes së industrisë”.

Por Sokolov ishte më pak optimist.

Ai deklaroi se këtë vit, numri i makinave të shitura në Rusi do të zbriste nën 1 milion, hera e parë në historinë moderne.

“Vitin e kaluar ishte pak më shumë se 1.6 milionë; Dashtë Zoti, këtë vit do të jetë 670,000-700,000” – tha ai në konferencën vjetore të Javës së Transportit.

Këto të dhëna krahasohen me shitjet e rreth 3 milionë njësi në vit deri në vitin 2012, përpara një rënieje të shkaktuar pjesërisht nga një valë e mëparshme sanksionesh në vitin 2014, pasi Rusia aneksoi në mënyrë të njëanshme Krimenë nga Ukraina.

“Avtovaz, ashtu si e gjithë industria automobilistike e Federatës Ruse, është përballur me situatën më të vështirë këtë vit” – tha Sokolov.

“Nuk jemi përballur kurrë më parë me një sfidë të këtyre përmasave”.

/ Reuters


Monitor sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

You may also like