Putin i pakënaqur nga shërbimi sekret, urdhëron rritjen e vigjilencës: Të identifikojmë tradhtarët, spiunët dhe sabotatorët

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar Shërbimin Federal të Sigurisë që të rrisë mbikëqyrjen e kufirit shtetëror, duke përdorur të gjitha mjetet në dispozicion për të parandaluar rreziqet nga jashtë dhe tradhtarët në vend. Duke folur në Ditën e Shërbimeve të Sigurisë, Putin tha se shfaqja e kërcënimeve të reja rrit nevojën për aktivitet më të madh të inteligjencës.

“Kufiri shtetëror është pika më e rëndësishme, kyçe në sigurinë e vendit, ndaj duhet mbrojtur dhe çdo tentativë për ta shkelur duhet të pengohet shpejt dhe me efektivitet duke përdorur forcat dhe mjetet që kemi në dispozicion, duke përfshirë njësitë lëvizëse të veprimit dhe forcat speciale”.

I vënë në vështirësi jo vetëm nga kundërofensiva e ukrainasve që ka zmbrapsur rusët nga territoret e pushtuara, por edhe nga aktet e shumta të sabotazhit në Rusi që dyshohet se janë kryer nga shërbimet sekrete të Kievit, Putin urdhëroi agjencinë e zbulimit FSB të shtojë vigjilencën, veçanërisht në kufi. Ai e përshkoi të vështirë situatën e rusëve në rajonet e vetëshpallura dhe kërkoi garantimin e sigurisë së tyre nga FSB.

“Situata në republikat popullore (të vetëshpallura) të Donetsk dhe Luhansk dhe në rajonet Kherson dhe Zaporizhzhia është jashtëzakonisht e vështirë. Por njerëzit që jetojnë atje, qytetarët rusë, mbajnë shpresë për ju, për mbrojtjen tuaj. Është detyra juaj të bëni gjithçka që është e nevojshme për të garantuar sigurinë e tyre dhe për të respektuar sa më shumë të drejtat dhe liritë e tyre. Nga ana jonë do të vazhdojmë të forcojmë forcat e reja me mjete ushtarake, armë dhe personel me përvojë”, tha Putin.

Kreu i Kremlinit udhëzoi FSB-në të maksimizojë përdorimin e potencialit operacional, teknik dhe të personelit për të forcuar kontrollin e shoqërisë, si edhe të ruajë gjakftohtësinë për të zbuluar tradhtarët.

“Tani kërkohet gjakftohtësi dhe përqendrim maksimal i forcave nga agjencitë e kundërzbulimit, duke përfshirë inteligjencën ushtarake. Ne duhet të përballojmë fort veprimet e shërbimeve të huaja speciale dhe të identifikojmë shpejt tradhtarët, spiunët dhe sabotatorët.”

FSB, e kryesuar nga aleati i Putinit, Alexander Bortnikov, do të rrisë gjithashtu mbikëqyrjen e tubimeve masive, objekteve strategjike dhe infrastrukturës energjetike.

You may also like