Pushteti mburret me arritjet, opozita kritikon se nuk është përmbushur asnjë nga shtyllat kryesore të Marrëveshjes së Ohrit

by admin
Spread the love

Marrëveshja e Ohrit nuk është zbatuar plotësisht dhe vendi vazhdon të ballafaqohet me problemet që ka pasur para më shumë se dy dekadave. Kështu vlerësojnë partitë opozitare në vend, duke komentuar 21 vjetorin e nënshkrimit të marrëveshjes që i dha fund konfliktit në vend. Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Mile Lefkov deklaron se Marrëveshja Kornizë, solli paqe por nuk mundi ta parashikojë krimin e BDI-së që ndodhi pas nënshkrimit të saj.

“Maqedonia ka Marrëveshje Kornizë por nuk ka ardhmëri evropiane. Ka marrëveshje kornizë ama Tetova nuk ka ujë për pije, Haraçina nuk ka kanalizim. Maqedonia ka Marrëveshje Kornizë por të rinjtë shqiptar dhe maqedonas migrojnë. Ky është dështimi i këtij pushteti. Nëse nisemi nga kjo atëherë nuk ka hapësirë për festim por për përgjegjësi. Ky është manifestim i BDI-së në prag të zgjedhjeve në Tetovë…”, tha Mile Lefkov, deputet VMRO-DPMNE.

Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se Marrëveshja e Ohrit ishte menduar të sigurojë barazinë mes bashkësive etnike dhe zhvillimin e vendit, por pas 21 viteve, ende nuk është arritur qëllimi në asnjë nga shtyllat e këtij dokumenti.

“Për ta kuptuar më qartë dështimin e qeverive të këtyre dy dekadave, të udhëhequra nga BDI, mjafton të kujtojmë se një fëmijë i lindur në vitin 2001, sot në moshën 21 vjeçare ka ndërprerë studimet dhe ka braktisur vendin, duke marrë rrugën e mërgimit. Shumë nga bashkëmoshatarët e tij janë fëmijë të dëshmorëve që sakrifikuan për këtë marrëveshje dhe shumë gra që atëherë ngelën pa burra, sot i përcollën edhe djemtë e tyre. 21 vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, partia në pushtet BDI, mburret me migrimin e të rinjve dhe me investimet e pakta të afaristëve privat, duke tentuar të vjedh mundin dhe sakrificën e tyre”,
thanë nga Aleanca për Shqiptarët.

Nga Aleanca për Shqiptarët, thonë se mos-implementimi i Marrëveshjes së Ohrit ka sjellë rritjen e krimit dhe korrupsionit, kryesisht në dëm të qytetarit shqiptar. Partitë opozitare vlerësojnë se në vend vazhdon të sundojë pabarazia mes popujve, mungesa e drejtësisë individuale për qytetarët, si dhe është rritur varfëria.

You may also like