Pse Turqia është një zonë me rrezik të lartë tërmetesh?

by admin
Spread the love

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.8 goditi të hënën Turqinë dhe Sirinë, duke shkaktuar vdekjen e mbi 2 mijë e 500 personave.

Mijëra të tjerë janë plagosur, ndërsa një numër i madh njerëzish kanë ngelur të bllokuar nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara.

Qeveri të ndryshme dhe organizata të shumta ndërkombëtare kanë shprehur gatishmërinë për të ndihmuar përpjekjet e kërkim-shpëtimit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se pret që numri i viktimave të jetë shumë më i madh. Ministria e Brendshme e Turqisë tha se tërmeti u pasua me mbi 20 pasgoditje. Të paktën një nga to ishte me magnitudë 7.5.

Turqia është në një nga zonat më aktive të tërmeteve në botë.

Në vitin 1999, 17,000 njerëz humbën jetën kur një tërmet me magnitudë 7.4 – më i rëndi në dekada goditi në veriperëndim të vendit.

Në tetor të vitit 2022, një tërmet me magnitudë 7.0 goditi Detin Egje duke vrarë 116 persona dhe duke plagosur mbi 1 mijë. Përveç dy viktimave, të gjithë të vdekurit ishin nga qyteti i Izmirit.

Pse Turqia është një zonë me rrezik të lartë sizmik?

Turqia është një nga vendet më të prekura nga tërmeti në botë, sepse shtrihet në pllakën e Anadollit midis dy çarjeve kryesore në koren e tokës, shpjegon revista shkencore italiane, ‘Focus’. Çarja në Anadollin e Veriut (me të verdhë në foto 1, më poshtë) që përshkon vendin nga perëndimi në lindje dhe çarja e Anadollit lindor (me rozë në foton 1) që ndodhet në rajonin juglindor të vendit.

Ato kanë origjinën nga një zonë e vetme e njohur si “Kryqëzimi i trefishtë i Karliovës”, i quajtur kështu sepse është pika e kryqëzimit midis tre pllakave: asaj anadollake, euroaziatike dhe arabe.

Diagrami i çarjeve që përshkojnë territorin e Turqisë

Për të kuptuar pse ndodhin tërmete të tilla të dhunshme, shikoni foton 2 (më poshtë ). Ylli i kuq tregon zonën ku kanë ndodhur tërmetet e fundit në çarjen e Anadollit Lindor. Kjo çarje është e tipit “rrëshqitës”, që do të thotë se dy rajonet në kontakt rrëshqasin horizontalisht në lidhje me njëri-tjetrin kur ndodh një tërmet.

Harta që tregon se ku kanë ndodhur tërmetet më të fundit në Anadollin lindor.

Në këtë rast, nga të dhënat e para të marra duket se ka pasur një rrëshqitje të zonës më veriore të thyerjes drejt jugut me rreth 2 metra. E gjithë kjo për faktin se pllaka arabe, e cila ndodhet në jug po lëviz drejt veri-verilindjes me një shpejtësi prej rreth 24 milimetra në vit dhe ndërsa në veri të Gjirit Persik ajo rrëshqet nën Euroazi (ku në foton 2 ka trekëndëshat e vegjël përgjatë një vije të zezë), përgjatë thyerjes lindore të Anadollit pllaka krijon një lëvizje rrëshqitëse.

Rrëshqitja nuk ndodh vazhdimisht, por ndodh vetëm kur forcat e përfshira grumbullohen në sasi të mëdha përgjatë thyerjes dhe në një moment të caktuar kjo i çliron papritur.

You may also like