Pse ndiqen programet pleh (Trash TV)?

by admin
Spread the love

Nga Edlira Gjoni

Sqarim: Problemi me shikueshmërinë e programeve plehra (termi i  tyre, jo i imi, Trash TV) nuk është ekskluzivitet shqiptar. Trash TV ka infektuar botën perëndimore e lindore që prej vitit 1997. Ndryshimi është që teksa të tjerët e adresojnë dhe zgjidhin duke i çuar emisionet në kanale me pagesë, ne u bëjmë kult dhe personazhet i ngremë nga vulgu, mundësisht drejt parlamentit apo pronësisë absolute të diskutimeve publike. Dhe jo vetëm që nuk pranohen kritika për këto plehra (Trash TV- termi zyrtar, jo imi), por ata që guxojnë t’u drejtohen me shqetësime publike, sulmohen si nga maja e Olimpit, me përçmimin dhe vulgun që iu jep mjedisi ku operojnë.

Pra, pse ky problem me emisionet plehra?

Ndiqen apo nuk ndiqen? Nëse ndiqen, kush e përcakton nivelin e vulgut, veshjes a zhveshjes, përdorimin e hapësirës publike (ekranit) për përfitime private (vulgët)? Mes tyre dhe audiencës ka marrëdhënie konfliktuale. Po, po. Vetë audienca është e paqartë se përse sillet në një formë apo në një tjetër me atë çfarë sheh në TV, çfarë eviton të shohë e çfarë komenton apo pretendon se sheh (apo duhet të shohë, fragemntuese në celular, edhe nëse jo plotësisht në ekran).

Së pari, duhet kuptuar se audienca ndahet në disa segmente si konsumatore e medias, por do ndalem tek dy kryesoret sipas teorive të komunikimit: Audiencë aktive dhe audiencë pasive. E para e harxhon kohën vetëm nëse ajo që konsumon mund t’i shërbejë për nisma reale. E dyta konsumon ç’t’i servirin dhe nuk ngrihet nga divani edhe sikur të jetë duke u tundur shtëpia nga tërmeti.

Raporti audiencë aktive me audiencë pasive mund t’ju shokojë:

– Në disa raste, është 2% me 98%.

Që do të thotë, vetëm 2% e audiencës e zbërthen domethënien mediatike, angazhohet me të, ngre prej saj çështje apo i çon ato për diskurs e zgjidhje publike. 98% e përtyp përmbajtjen pa u shqetësuar çfarë ka në të, e pa ndjerë ndonjë përgjegjësi për ta analizuar, zbërthyer apo akoma më keq, për ta vënë në pikëpyetje atë çfarë sheh në ekran.

Harrojini emisionet Trash. Kujtoni pak përqasjen Trash të politikës britanike: Rezultoi shumë e suksesshme kur e vuri në gjumë audiencën aktive në referendumin e Brexit, dhe audienca pasive vendosi për fatin e rezultatit që të gjithë e dimë.

Kur nuk shprehen ata që mendojnë, analizojnë, propozojnë apo ecin përpara me nisma që sfidojnë Trash-in, përfundimet dihen: shoqëria modelohet nga shumica. Pasive! Konsumatore e manipulueshme lehtë. Që nuk e do ndryshimin, qoftë edhe në emër të saj. Madje, ka frikë nga ndryshimet dhe standardet, sepse ato do përktheheshin në shtim përpjekjesh që njeriu (audienca), të përshtatej me terrenin e përgjegjshëm. Po të ishin dakord me këto kritere, do i përkisnin 2%-it, por ja që janë rehat në zonën pasive.

Për analogji, në çdo vend, segmenti i audiencës aktive (maksimumi shkon 20% e audiencës) e injoron ekzistencën e programeve të tilla, shpesh duke i akuzuar si helmatisëse për kulturën standarde, e plot me argumente negative për shfaqjet vulgare që prodhohen nga reality show-t.

I konsiderojnë fyese për inteligjencën pseudo-skenarët që shkaktojnë konflikte, dashuri, negocime, lidhje apo zgjidhje të shtirura e të interpretuara më dobët edhe se skeçet e kooperativave në mes të arës, përballë audiencave që do donin një orë pushim për kockat, në vend të  një orë shpëlarje truri me banalitetet e kohës.

Po pse këto emisione që edhe emrin e kanë “emisione plehu” (trash TV), kanë shikueshmëri të lartë?

Njëra dorë lan tjetrën në proces: ato gënjejnë se ndiqen nga miliona shikues, e të tjerë kuriozohen t’i shtohen turmës që bëka namin. Reklamuesit dynden të kapin audiencën me produktet e tyre, pavarësisht se çfarë janë duke parë. Atyre u intereson që reklama të prekë sa më shumë sy, e sytë shtohen sepse tërhiqen aty si mizat nga kurthi ngjitës prej letre që ngjisim në dollapët e bukës, me aromë feromoni, për të pastruar raftet nga insektet. Atë rol duket se luajnë programet pleh: Tërheqin drejt tyre audiencën e tepërt.

Përfitimet që ato sjellin janë marramendëse dhe është e pritshme të jenë kështu, sepse edhe audienca që synojnë në bashkëpunim emisionet pleh dhe reklamat e ngjashme me to, nuk kërkojnë shumë punë logjike a marketingu të bindin për çdo gjë shikuesin e tufatur. E keqja është se këto emisione kanë ndryshuar mënyrën se si prodhohen emisionet, cilat quhen “të mira” e cilat mbyllen sepse nuk kanë shikueshmëri, edhe pse mund të kenë logjikë, statistikë, impakt e përgjegjësi nga pas.

Sa më shumë ndiqen vetëm emisionet pleh, aq më shumë drejtuesit, pronarët e ata që marrin vendime për ekranet, bien pre e trendit për të zgjedhur po atë rrugë: transformojnë emisionet, ndryshojnë prezantuesit, shtojnë elemente vaniteti, përqëndrohen tek forma dhe e dukshmja, e investojnë shumë më pak tek përmbajtja. Promovojnë e fryjnë me paga, të ardhura e përfitime atë grup njerëzish që e quajnë veten të suksesshëm, edhe pse suksesi nuk dihet më si matet, përveçse me numra audience që edhe manipulohen, edhe nuk tregojnë asgjë për ndikimin social. Ama atë financiar e kanë të barabartë me krijimin e një pseudo-elite vanitoze që konkurron me arredimet e shtëpive, pushimet luksoze (me pushues nga lindja), apo jetesën nga njëra qendër estetike në tjetrën.

E theksojmë: kontradikta e emisioneve pleh dhe shikueshmërisë së tyre të lartë nuk janë vetëm probleme shqiptare. Ne kemi imituar më të lirat, mediokritetin më të madh, parazitizmin më të thellë edhe nga ana televizive, e vijojmë të prodhojmë emisione që në vendet e Europës Perëndimore janë mbyllur prej vitesh në kanalet pa pagesë. Në Suedi për shembull, që nga vitit 2000, kur u transmetua për herë të parë, emisioni Big Brother është ndërprerë 10 herë, është transmetuar 9 vjet, pezulluar 13 vjet e ndërkohë, sa herë është rikthyer, është shfaqur në ekrane përherë e më larg syrit të lirë të publikut, në televizione të dorës së tretë, katërt apo pestë, e së fundmi, u pezuallua fare për shkak të shikueshmërisë shumë të ulët. I njëjtë varianti në Angli, ku pas çdo pezullimi (dhe lumit të ankesave nga shikuesit), rikthehet në televizione të formatit kabllor apo shumë pak të ndjekur.

Po sigurisht, audienca suedeze apo angleze nuk ka shijen e hollë të audiencës shqiptare. Dhe televizionet e tyre nuk kanë talentet e rralla që kemi ne në prodhimtarinë moderne të emisioneve të tilla me profesionalizëm galaktik.

Që ta vijojmë analogjinë, në një raport të Ofcom në Mbretërinë e Bashkuar, zyrtarët thonë se Celebrity Big Brother i vitit 2019 regjistroi numrin rekord të ankesave për gjithë dekadën e monitoruar, për shkak të gjuhës abuzive, modeleve të papranueshme dhe manipulimit që i bën shikuesit. Nga ana e tyre, ata e quajnë emisionin dhe të ngjashmit me të si makineri të shëmtuara, të tmerrshme dhe të pakapërdishme për konsumimin në familje apo shoqëri. Pas tij renditeshin me ankesa Love Story apo Love Islands, e me radhë emisionet që prodhojnë çudira që hedhin poshtë gjithçka publiku ka mësuar ndër breza për termat e dalë jashtë mode si “mirësi, vërtetësi, ndershmëri, punë, dedikim, respekt, vlerë, etikë, përgjegjshmëri”, e të tjera “broçkulla” si këto, që nuk të bëjnë kurrë as të famshëm, as të pasur brenda natës (sikundër Trash-i predikon).

Praktikat e dy vendeve të sjella më sipër kanë përfunduar edhe në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, e cila, në majin e vitit të kaluar është shprehur kundër të dy emisioneve përsa i përket abuzimit me privatësinë, informimin dhe komunikimin. Por këto po i lemë mënjanë, se janë pa lidhje për modernizmin e avancuar shqiptar të silikono-trasheve.

Po pse ndiqen?

Sepse nuk kërkojnë asgjë nga shikuesi: as mendim, as analizë, as raport, as përgjegjësi, as veprim (përveç votimit të shtrenjtë dhe qëndrimit sus aty, për të parë reklamat e bërë blerjet e ndikuara).

Grupi i aktivëve kuriozë që e sheh për disa minuta, ndjehet i turpëruar nga vetja që shpenzon disa minuta të jetës së tij duke pare suspanca qesharake, e mbyll televizorin për të mos e hapur më kurrë, i trishtuar që ata në ekran, do jenë nesër të ftuar për të dhënë mend për çështje ekonomike, politike apo sociale, edhe pse kontributin ndaj tyre e kanë poshtë zeros.

Ka edhe nga ata që i shohin emisionet sepse duan të tallen me to, e sa më shumë i shohin, aq më gjatë ndjehen superiorë e të reflektojnë “Faleminderit Zot që nuk m’i ke marrë ende trutë”. Këta shikues hyjnë të grupi i audiencës që kërkon mënyra për t’i konfirmuar vetes se i përkasin një kategorie më të rafinuar në inteligjencë e pozicion në shoqëri.

Shumica e ndjekin sepse jeta e tyre nuk ka asgjë tjetër interesante për të ofruar. Ose janë lodhur aq shumë nga dita e gjatë e asgjësë, e konflikteve me të tjerët apo me veten, e paralizës në kërkimin e “pse”-ve të heshtura, saqë zgjedhin të shohin episode me zorrët në grykë.

Njeriu ndjek me të njëjtin intensitet edhe ndonjë makinë të përmbysur në autostradë. E ul shpejtësinë dhe kërkon të kuptojë ç’ka ndodhur, edhe pse nuk do tamam-tamam që të jetë pjesë e atij kuptimi. Por ja që disa instinkte na janë rrënjosur më fort sesa logjika.

Ndaj edhe Trash TV po na bën të na vijë turp që të kërkojmë largimin e plehrave nga rruga kryesore (dmth Prime Time dhe televizionet pa pagesë).

Po imagjinoni c’do i bënim Bashkisë nëse nuk na i heq plehrat një natë, e lere më dy, tre apo më shumë netë. Vjet.

Ashtu është Trash TV. Ne jetojmë me të, por qenka herezi të kërkosh t’i heqin.

Për një jetë pa Trash, firmos peticionin “S’ka ma turp”. Më mirë aktiv e i shënjestruar, sesa pasiv e nën mbretërinë e Trash-it.

You may also like