Propozimit franko-gjerman i mungon njohja e plotë – Shqip

by admin
Spread the love

Bashkëpunëtori i Këshillit për Politikat e Demokratizimit nga Brukseli, Toby Vogel, ka thënë se qëllimi i fazës së re të dialogut është diçka më pak se njohja.

Vogel ka thënë për Radio Evropa e Lirë, se ky qëllim për të është diçka shqetësuese, teksa ka shtuar se propozimit të BE-së, i mbështetur nga Franca e Gjermania, i mungon njohja e plotë.

“Kur gjërat bëhen vërtet të vështira, do të kërkohet ndoshta një ndërhyrje shumë e drejtpërdrejtë nga Uashingtoni. Dhe, ajo që më shqetëson është se qëllimi i fazës së re, fazës përfundimtare të negociatave, duket se është diçka më pak se njohja. Sepse propozimi i Francës dhe Gjermanisë është diçka që i mungon njohja e plotë dhe më duket e çuditshme që në fillim të një faze që supozohet të fokusohet në një marrëveshje përfundimtare, tashmë të vendoset standard më i ulët se sa mund të ishte”, ka theksuar Vogel.

Sipas tij, marrëveshja për targat e arritur të mërkurën mbrëma në Bruksel ndërmjet Kosovës e Serbisë është e përkohshme dhe jo një zgjidhje.

“Kjo është një marrëveshje e përkohshme. Kjo, thjesht, ndihmon tani në shmangien e një përshkallëzimi, por padyshim nuk është zgjidhje, sepse Kosova në fakt duhet të pezullojë zbatimin e të drejtave të saj sovrane në veri të Kosovës, që natyrisht në një kohë afatgjatë dhe afatmesëm është i papranueshëm për Prishtinën”, thotë ai.

Vogel po ashtu ka thënë se interes i Serbisë është që t’i vonojë sa më shumë negociatat, dhe se në fund do ta arrijë këtë.

Ai ka shtuar se është në fuqinë e lehtësuesit nëse dëshiron që palët të përqendrohen në marrëveshjen përfundimtare. Por, ai nuk beson që Serbia do të negocionte me mirëbesim.

“Besoj se Kosova është shumë entuziaste për ta bërë këtë dhe Serbia jo. Dhe, tejkalimi i këtij hendeku mes palëve do të bjerë mbi lehtësuesin [kryediplomatin evropian, Josep Borrell], autoriteti i të cilit mendoj se ra në masë të madhe nga ajo që ndodhi këtë javë në Bruksel”, ka vlerësuar Vogel./rel

Lexo lajme interesante

You may also like