Projektligji për kriptovalutat kompleks, hartimi po bëhet me kujdes të veçantë

by admin
Spread the love

Projektligji për kriptovaluta që pritet të finalizohet në fund të vitit 2021 nga Kuvendi i Kosovës, po shihet si diçka pozitive, që mund të ndihmojë në rimëkëmbjen ekonomike. Mirëpo, hartimi po bëhet ngadalë dhe me kujdes të veçantë për shkak të kompleksitetit të kësaj çështje, raporton Ekonomia Online.

Lidhur me
këtë kryetari i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Ferat
Shala, tha për Ekonomia Online, se tashmë kanë filluar me punën e përzgjedhjes
së ekipit dhe ekspertëve të kësaj fushe, që të punohet profesionalisht për  hartimin e këtij ligjit.

“Ne
tashmë kemi krijuar ekipin i cili po punon në kuadër të Komisionit për hartimin
e ligjit, në këtë relacion jemi në pikët e përzgjedhjes së një ose eventualisht
dy këshilltarëve specialistë që e njohin tregun e kriptovalutave në mënyrë që
ne të punojmë pak edhe me grupet profesionale por edhe me grupet e interesit në
mënyrë që të hartojmë një ligj të nevojshme por edhe të zbatueshëm dhe që do
rregulloj tregun. Dhe nga java e ardhshme të vazhdohet me punën e grupeve
punuese”.

Shala tha
se nuk duan që të nguten pasi e konsiderojnë këtë çështje të panjohur për
vendin, duke shtuar se kujdesi është i nevojshëm.

“Sigurisht
në këtë relacion nuk po ngutemi, për shkak të implikimeve që ka, dhe që është
fushë e re dhe e parregulluar. Po vendoset A-ja e parë apo hapi i parë i
rregullimit institucional e ligjor për këtë industri të kriptovalutave duke
konsideruar që duhet të jemi të kujdesshëm në hapat që i marrim”.

E në anën
tjetër kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, tha se
qytetarët kanë pasur frikë të investojnë për shkak të mungesës së ligjit.

“Kriptovaluta
në ekonominë e Kosovës është një çështje virtuale ende e panjohur në Kosovë, ku
shumë njerëz janë të interesuar të investojnë në këtë valutë por kanë frikë
sepse nuk ekziston ligji për to. Pavarësisht se janë ligjet e aplikuara
ndërkombëtare, Kosova nuk e ka një ligj të tillë”.

“Ne
kemi shumë investitorë në Kosovë, që kanë investuar në kriptovaluta por mbajtja
e tyre është bërë në shumicën e rasteve ilegale. Tashmë pritet që kjo të
legalizohet e cila është në zhvillim e sipër, ka rreziqet e veta dhe këto duhet
që të parashihen në bazë të ligjit. Mendoj që ekonomia e Kosovës dhe bizneset
nuk duhet të frikësohen nëse kjo veçse finalizohet”.

Madje
sipas tij kjo është një mundësi e mirë që përmes investimit në kriptovaluta të
hapen mundësi për rimëkëmbje ekonomike dhe zhvillim.

“Në vendet e ndryshme të botës kjo ka ndikuar pozitivisht, sepse ata janë më të avancuar në këtë drejtim. Kosova është gjithmonë e fundit sepse jemi ekonomi dhe shtet i ri dhe të pa informuar në këtë drejtim. Andaj mendoj që ky ligj do të qartësoj të gjitha dhe do të hap mundësi për investime dhe rimëkëmbje ekonomike”, përfundoi ai.

You may also like