Ndërkohë sektori përballet me kërkesën e dobët, duke rritur kostot
Shtëpia automobilistike europiane Stellantis iu bashkua të hënën rivalit më të madh Volkswagen dhe prodhuesve të tjerë duke paralajmëruar mbi përkeqësimin e perspektivave të kërkesës për automjete dhe rritjes së kostove, duke fshirë miliarda euro nga vlera e tregut të sektorit.
Prodhuesit e makinave po përballen me kërkesën e dobët në Kinë dhe në Shtetet e Bashkuara dhe një luftë të mundshme tregtare mes Pekinit dhe Bashkimit Europian, ndërsa blloku pritet të finalizojë tarifat e importit për automjetet elektrike kineze në lidhje me subvencionet e supozuara.
Edhe prodhuesi britanik i makinave luksoze Aston Martin dha një paralajmërim të hënën mbi fitimin për gjithë vitin, pjesërisht për shkak të rënies së kërkesës në Kinë, ashtu siç bënë në fillim të muajit Mercedes-Benz dhe BMW.
Aksionet e Aston Martin ranë me 20%, në nivelin më të ulët në gati dy vjet.
Aksionet e Stellantis ranë thuajse me 11%, duke arritur nivelin më të ulët që nga dhjetori 2022. Aksionet e Stellantis kanë humbur 38% të vlerës këtë vit, duke e bërë atë prodhuesin e automjeteve me ecurinë më të keqe në Europë.
Paralajmërimet e fundit vijnë pas njoftimit të Volkswagen për uljen, për herë të dytë në më pak se tre muaj, të perspektivave të fitimit në vitin 2024. Aksionet e saj ranë pak më shumë se 2.8% në tregtimin e mesditës së të hënës.
Gjigantët gjermanë të makinave varen nga Kina për rreth një të tretën e shitjeve të tyre dhe janë goditur nga ekonomia më e dobët, konkurrenca më e ashpër e shtëpive automobilistike kineze dhe nga lufta e ashpër e çmimeve të makinave elektrike.
Edhe rënia e kërkesës europiane nuk ka ndihmuar. Shitjet e makinave të reja në Bashkimin Europian ranë me 13.8% në gusht, duke prekur nivelin më të ulët në tre vitet e fundit, me humbje dyshifrore në tregjet kryesore të Gjermanisë, Francës dhe Italisë dhe rënie të shitjeve të makinave elektrike.
/ Reuters
Monitor sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.