Prodhuesit e makinave rishikojnë planet e elektrifikimit

by admin
Spread the love

Shkak, ngadalësimi i kërkesës së makinave elektrike

 

Disa shtëpi automobilistike botërore po rishikojnë objektivat e tyre të elektrifikimit, të goditura nga ngadalësimi i kërkesës për makina tërësisht elektrike, për shkak të mungesës së modeleve ekonomike, ngadalësisë në instalimin e stacioneve të rikarikimit, rritjes së tensioneve tregtare dhe rritjes së konkurrencës së makinave më ekonomike të rivalëve kinezë.

Shitjet globale të makinave elektrike – tërësisht elektrike ose hibride plug-in – u rritën me 20% në gjashtëmujorin e parë 2024, më ngadalë se parashikimet, sipas të dhënave të shoqërisë së kërkimeve të tregut Rho Motion.

Në të njëjtën periudhë, Europa regjistroi vetëm 1% rritje.

 

TOYOTA

Prodhuesi më i madh i makinave në botë parashikon të ndërtojë 1 milion makina elektrike në vitin 2026, krahasuar me objektivin e shitjes prej 1.5 milionësh të njoftuar më parë, sipas asaj që raportohet nga e përditshmja ekonomike Nikkei, më 6 shtator.

Toyota tha në një deklaratë se synimi për të  prodhuar 1.5 milionë makina elektrike në vit brenda vitit 2026 dhe 3.5 milionë brenda 2030-s nuk ka ndryshuar. Megjithatë, theksoi se shifrat nuk janë objektiva por pika referimi për aksionerët.

VOLVO

Më 4 shtator, shtëpia automobilistike suedeze e braktisi objektivin për t’u bërë tërësisht elektrike brenda 2030 dhe tha se në atë kohë do të ofrojë ende disa modele hibride.

Synimi është që 90 – 100% e makinave të shitura brenda 2030 të jenë makina tërësisht elektrike ose hibride plug-in, ndërsa deri në 10% do të jenë të ashtuquajtura mild hybrids.

VOLKSWAGEN 

Shtëpia më e madhe automobilistike në Europë për shitjet nuk i ka ndryshuar objektivat e saj për vitin 2030, të cilat parashikojnë që makinat elektrike të përbëjnë 70% të shitjeve në Europë dhe 50% në SHBA dhe Kinë, pavarësisht paralajmërimeve të vazhdueshme për ngadalësimin e kërkesës.

FORD

Në gusht, Ford uli pjesën e investimeve vjetore të parashikuara për makina tërësisht elektrike në rreth 30% nga 40%, duke e fokusuar vëmendjen te modelet hibride. Ndër të tjera, Ford deklaroi se do ta braktiste projektin mbi një SUV elektrik dhe do ta shtynte një version të ri elektrik  të modelit më të shitur.

PORSCHE

Në korrik, shtëpia automobilistike gjermane rishikoi ambiciet e tij për makina elektrike, duke thënë se mund ta arrijë objektivin e komunikuar më parë për 80% të  shitjeve tërësisht elektrike deri në vitin 2030, vetëm nëse kërkesa dhe zhvillimet në sektorin e EV e garantojnë atë.

RENAULT 

Në fillim të vitit 2022, CEO Luca De Meo pati parashikuar që të gjitha shitjet e markës Renault do të ishin tërësisht elektrike brenda vitit 2030, por dy vite më pas, objektivi u ndryshua, kur CEO i markës, Fabrice Cambolive, deklaroi në një intervistë për ANE që Renault parashikonte një strategji të dyfishtë, me makina elektrike dhe me motor me djegie të brendshme, në dhjetë vitet e ardhshme, pra përtej vitit 2030.

Në korrik, De Meo shprehu dyshime mbi afatin  për kalimin tërësisht të prodhimit europian te makinat elektrike.

GENERAL MOTORS

Në qershor, GM rishikoi parashikimet për prodhimin e makinave elektrike për vitin 2024 dhe në korrik refuzoi të përsërisë parashikimin për të prodhuar 1 milion makina elektrike në Amerikën e Veriut brenda fundit të vitit 2025.

MERCEDES-BENZ

Prodhuesi gjerman i makinave luksoze deklaroi në shkurt se shitjet e makinave elektrike, duke përfshirë ato hibride, do të përfaqësonin deri në 50% të totalit brenda vitit 2030, me pesë vite vonesë krahasuar me parashikimet e 2021.

BENTLEY MOTORS

Bentley synonte një linjë tërësisht elektrike brenda vitit 2030, por në mars, CEO i kompanisë, Adrian Hallmark, deklaroi se makinat hibride ka të ngjarë të jenë në shitje pas kësaj date.

ASTON MARTIN

Në shkurt, shtëpia automobilistike britanike e shtyu prezantimin e makinës së parë elektrike, për shkak të kërkesës së dobët.

/ Reuters

Monitor sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

You may also like