Prizreni shpall ish-presidentin kroat Mesiq, Qytetar Nderi

by admin
Spread the love

Kuvendi Komunal i Prizrenit ka shpallur të hënën Qytetar Nderi ish-presidentin e Kroacisë, Stipe Mesiq, ka njoftuar Zyra për Informim e komunës.

Ai është cilësuar mik i pazëvendësueshëm, kontribuues i pashembullt, njeri i jashtëzakonshëm e politikan që ka lënë gjurmë në historinë e Ballkanit në mbështetjen të popullit shqiptar.

“Prandaj, sot, të gjithë së bashku jemi mbledhur që ta nderojmë një personalitet të jashtëzakonshëm si presidenti Stjepan Mesiq dhe t’i shprehim edhe një herë mirënjohjen, në emër të popullit tonë, për gjithçka që ai ka bërë për shqiptarët kudo qe janë”, tha kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj.

Mesiq iu falënderua qytetarëve të Prizrenit si dhe kryetarit Totaj, për nderin që iu bë.

“Jam jashtëzakonisht i nderuar për pritjen që ma bëtë sot. Falënderoj kryetarin Shaqir Totaj i cili ka një vizion prej evropiani dhe marrëdhënien tonë do ta fuqizojmë edhe më shumë me Prizrenin dhe qytetarët e tij”, theksoi Mesiq, sipas komunikatës së komunës.

Gjatë presidencës së Mesiqit, Kroacia e kishte njohur pavarësinë e Kosovës.

You may also like