Presioni i tifozëve jep efekt, klubet angleze mendojnë tërheqjen nga Super Liga?

Superliga europiane sapo ka lindur, por në fare pak kohë ka provokuar një tërmet të madh. 12 klubet themeluese kanë firmosur për fillimin e kompeticionit që mund të nisë në Gusht, ndërsa UEFA i kërcënon me përjashtime nga çdo kompeticion i saj, madje me aprovimin e federatave përkatëse, i përjashton edhe nga kampionatet kombëtare, ndërsa lojtarët e klubeve pjesëmarrës në Superligë, rrezikojnë të mos luajnë as në Europian e as në botëror.

E gjithë kjo lëkundje e madhe duket se ka bërë dy klube që ta rimendojnë përfshirjen në këtë ligë. Mediat në Britaninë e madhe raportojnë se dy nga 6 klubet angleze që kanë firmosur për Superligën, nuk janë dakord me mënyrën se si po menaxhohet kjo situatë dhe po e mendojnë edhe tërheqjen e menjëhershme nga pjesëmarrja në këtë event.

Emrat e klubeve nuk bëhen të ditur, por shkruhet se janë dy klube të vjetra angleze. Ndërkohë që gjithashtu raportohet se një klub i tretë anglez është revoltuar me drejtuesit e Liverpoolit dhe Manchester United, dhe pretendon se është gënjyer për t’u bërë pjesë e Superligës.

Ndërkohë britanikja “The Times” raporton se në një nga klubet angleze po mbahen mbledhje të vazhdueshme dhe pritet të dilet zyrtarisht me deklaratë për tërheqjen, pasi presioni i tifozëve ka qenë vërtetë i madh. Është vetëm fillimi, por të kenë nisur që tani krisjet në Superligën europiane?!

Leave a Reply