Prelec: Nëse nuk ka një marrëveshje me Serbinë, shtohen rreziqet për trazira në veriun e Kosovës

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Analisti i Grupit Ndërkombëtar të Krizave, Marko Prelec, tha në një intervistë me Zërin e Amerikës se dështimi për të arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, shton rreziqet për trazira në veriun e Kosovës, që do të mund të dëmtonin seriozisht të ardhmen e marrëdhënieve ndërmjet palëve.

Prelec tha se nuk pret ndonjë nënshkrim marrëveshjeje në takimin e së shtunës në Ohër ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq, por shpreson në një përparim drejt zbatimit të planit evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet palëve.

Ai tha se Kosova mund të dalë fituese me këtë plani, ndërsa i cilësoi të paqëndrueshme shqetësimet se Asociacioni i komunave me shumicë serbe mund të shndërrohet në një mekanizëm të ngjashëm me Republikën Serbe në Bosnjë.

Zëri i Amerikës: Zoti Prelec, të shtunën kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, do të takohen në Maqedoninë e Veriut për të negociuar udhërrëfyesin e zbatimit të marrëveshjes së ofruar nga perëndimi për normalizimin e marrëdhënieve. Çfarë prisni nga ky takim?

Marko Prelec: Është vështirë të dish se çfarë të presësh duke marrë parasysh sasinë e paktë të informacionit që është bërë publik nga të gjitha palët e përfshira, gjithashtu duke marrë parasysh faktin që kemi dy udhëheqës me thuajse aspak besim te njëri – tjetri, pa ndonjë marrëdhënie të vërtetë personale siç kemi parë në raste të tjera në historinë e rajonit, prandaj është vështirë të merret me mend se ata vet mund të arrijnë çfarëdo marrëveshje përmbajtjesore. Arsyeja e vetme përse ekziston ndonjë mundësi për këtë gjë është për shkak të trysnisë së jashtëzakonshme nën të cilën ata të dy ndodhen nga aktorët e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, trysni e nxitur kjo nga lufta që po vazhdon në Ukrainë, pra agresioni rus në Ukrainë. Pra kemi këtë trysni të fuqishme, kemi dy palë që nuk i besojnë njëra – tjetrës dhe është vështirë të dimë se çfarë do të ndodhë. Unë pres që nuk do të ketë asnjë lloj “big-bangu”, as ndonjë ceremoni të madhe nënshkrimi, por shpresoj që megjithatë do të ketë hapa përpara në negocimin e udhërrëfyesit të zbatimit, që është pjesa kryesore në shqyrtim dhe kësisoj të nisin “t’i shtojnë mish” kësaj marrëveshjeje 11 pikëshe të cilën të dyja palët e kanë lënë të kuptohet se e kanë miratuar.

Zëri i Amerikës: I dërguari evropian, Miroslav Lajçak ka thënë se plani synon një zgjidhje të favorshme për të dyja palët. Nga këndvështrimi juaj, kush në fakt mund të jetë fitimtari i vërtetë në këtë proces?

Marko Prelec: Kjo është një deklaratë interesante nga Miroslav Lajçaku sepse mesa po shoh unë, edhe kryeministri Kurti edhe presidenti Vuçiç nuk shohin ndonjë mundësi për të fituar të dyja palët. Ata e shohin asisoj që njëra palë do të fitojë dhe tjetra do të humbë. Duke gjykuar nga përmbajtja e marrëveshjes, është e qartë se Kosova është fituesja e përgjithshme në këtë proces. Mund të përfitojë një masë domethënëse të njohjes ndërkombëtare që ende nuk e ka, pra më së paku mund të ketë anëtarësimin në Këshillin e Evropës, të largojë disa pengesa, por jo të gjitha në rrugën drejt anëtarësimit në Kombet e Bashkuara, me shpresë gjithashtu se do të bëjë hapa përpara edhe në procesin e njohjes së saj nga pesë shtetet mosnjohëse të Bashkimit Evropian. Gjithashtu, duke fituar jo njohjen nga Serbia por një pranim nga ana e saj të aspekteve të rëndësishme të sovranitetit të Kosovës si pasaportat, nëse i shtojmë kësaj edhe disa çështje si ajo e targave të makinave që po rikthehet vazhdimisht, do të çimentonte edhe më tej pëlqimin e Serbisë për sovranitetin e Kosovës mbi territorin e saj përfshirë edhe veriun. Pra, të gjitha këto janë gjëra shumë të rëndësishme që janë qartazi pluse për Kosovën. Gjëja e vetme që Serbia përfiton nga kjo gjendet në aneksin e zbatimit që ka rrjedhur si informacion, nëse hamendësojmë që është i saktë ky draft i aneksit, është një referencë për një konferencë të donatorëve, pra fiton në marrëdhëniet e saj me vendet evropiane në çështje që ndërlidhen me ndihmën për zhvillim, investimet dhe ndihmat në përgjithësi. Edhe Kosova e fiton këtë gjithashtu.

Zëri i Amerikës: Njohja nuk përmendet në plan por zyrtarë qeveritar në Kosovë pretendojnë se me këtë marrëveshje Kosova do të fitojë një njohje ‘de facto’ nga Serbia, ndërkaq zyrtarët serb e mohojnë një gjë të tillë. A është kjo në fakt një lloj njohjeje?

Marko Prelec: Jo nuk mendoj se është. Unë nuk jam avokat ndërkombëtar por di mjaftueshëm për ligjin ndërkombëtar për të kuptuar se është një koncept përbrenda tij sipas të cilit shtetet mund të njohin shtete pa një akt formal dhe kësaj i referohemi si njohje ‘de facto’, por kjo marrëveshje nuk është e tillë. Mendoj se Serbia e ka bërë të qartë se nuk po e njeh Kosovën në asnjë mënyrë, pra kjo nuk është në tryezë tash për tash.

Zëri i Amerikës: Pra tash për tash ne kemi një lloj marrëveshjeje të ndërmjetme, nëse ata pajtohen dhe pastaj do të kemi një raund tjetër të diskutimeve të gjata më vonë?

Marko Prelec: Pikërisht, mendoj se kjo është plotësisht e saktë. Strategjia e Bashkimit Evropian duket të jetë ‘të marrim sa më shumë që është e mundshme tani’ dhe qartazi është përcaktuar se tash për tash nuk është e mundshme të ketë marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme, që është përfolur për shumë vjet në dokumentet evropiane. Por, është e mundshme të arrihet një marrëveshje e ndërmjetme që do të nënkuptonte disa hapa përpara në atë drejtim dhe pastaj në një datë të ardhme, kur të kalojnë vite, nga një pozicion i ndërmjetëm i përmirësuar tashmë, të bëhet ngjitja përfundimtare drejt marrëveshjes gjithëpërfshirëse.

Zëri i Amerikës: Zoti Prelec ju më herët thatë se Kosova është një lloj fitueseje në këtë proces, por Kosova ndodhet nën trysni të jashtëzakonshme nga komuniteti ndërkombëtar për të krijuar një Asociacion të komunave me shumicë serbe dhe ka shumë shqetësime se ky mekanizëm do të mund të shndërrohej në një Republikë Serbe. A është kjo frikë e arsyeshme?

Marko Prelec: Më lejoni të jem i hapur dhe të them jo, mendoj se kjo është një çështje e opinioneve të ndryshme brenda dhe jashtë Kosovës, kur them jashtë Kosovës flas për shtetet mike që e njohin Kosovën si Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe të tjera, plus nga institucionet e Bashkimit Evropian dhe ekspertë të ndryshëm, pra opinionet janë tërësisht të ndryshme. Në Kosovë thuajse me këdo që bisedoj ndan me mua këtë këndvështrim që ju e përmendët se ky është një rrezik i madh. Por, shumë njerëz jashtë, po flas për veten time të paktën, e shohim në mënyrë tjetër, që ofrimi i një shkalle të decentralizimit, një shkalle të vetmenaxhimit, të autonomisë, këto janë të gjitha fjali me ngjyrime të lehta dalluese, madje edhe federalizimi, është diçka që mund të forcojë dhe në fakt zakonisht forcon një shtet. Shumë shtete të cilat janë modele per shumëkënd, shtete që zakonisht e bëjnë më të mirën në kuptim të zhvillimit ekonomik, zhvillimit njerëzor, pra që u ofrojnë jetë të mirë qytetarëve të tyre, janë shtete që e kanë këtë mekanizëm, pra që kanë lloje të ndryshme të autonomive brenda tyre. Tashmë dihet që zoti Lajçak ka propozuar një numër modelesh evropiane, ka edhe modele joevropiane dhe nuk është nevoja të kufizohemi vetëm në gjëra që tashmë janë bërë, por çështja e përgjithshme është që këto të gjitha janë modele nga shtete që funksionojnë shumë mirë. Për disa arsye, që sinqerisht nuk i kuptoj, opinioni publik vazhdon të kthehet prapa te Bosnja, që është vërtetë një vend me probleme të thella, por duhet kujtuar gjithashtu që përvoja e Bosnjës nuk është njësoj me atë të Kosovës. Përvoja e Republika Serbe ishte zgjidhje ndaj një problemi shumë më të vështirë, është një zgjidhje krejt tjetër që askush nuk po e propozon për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Bosnjës ishte një luftë më e gjatë e më shkatërruese e cila e ka rrënuar atë si shtet dhe pastaj është rivendosur prapë si shtet. Kjo rivendosje nëpërmjet marrëveshjes së Dejtonit dhe nëpërmjet pranimit të Republikës Serbe nga komuniteti ndërkombëtar, ishte e suksesshme. Kështu që Bosnja tani 27 vjet pas marrëveshjes së Dejtonit vazhdon të jetë një shtet, ku plagët e luftës janë gjerësisht të shëruara, ku ka ndodhur një zhvillim i hovshëm ekonomik dhe jeta është shumë më e mirë për të gjithë. Është një shtet ku me të gjitha problemet nga Republika Serbe, dhe nuk dua t’i minimizojë ato aspak, vazhdon të jetë e mundur për njerëzit të cilësdo etni të ngasin makinën kudo që duan duke përdorur targa të njëjta, të njëjtat monedha, të njëjtat dokumente dhe as mos ta vërejnë ndonjëherë kur kalojnë nga njëri entitet në tjetrin. Kështu që ky realitet duhet kujtuar gjithashtu. Republika Serbe ishte zgjidhje ndaj një problemi shumë më të vështirë, është një zgjidhje krejt tjetër që askush nuk po e propozon për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, dhe ka forma të tjera të autonomisë të cilat kanë forcuar, në vend që të dobësojnë shtete në Evropë.

Zëri i Amerikës: Zoti Prelec, disa analistë por edhe zyrtarë opozitarë në Kosovë pretendojnë se djalli fshihet në nenin 7 të planit evropian dhe sipas tyre parasheh një autonomi më të zgjeruar të komunave me shumicë serbe sesa Asociacioni. Çfarë mendoni ju?

Marko Prelec: Me sa unë mund të kuptoj gjuha është ndryshuar dhe pikë së pari nuk ka ndonjë referencë në planin evropian për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ka vetëm një referencë implicite jo në nenin shtatë, por në një tjetër nen mbi nevojën për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e së kaluarës dhe kjo përfshinë marrëveshjet e Brukselit të vitit 2013 dhe 2015 për Asociacionin. Gjëja tjetër është se gjuha për vetmenaxhimin për komunitetin serb është gjuhë me e zbehtë, që siç e kuptoj unë është përdorur me kërkesë të qeverisë së zotit Kurti, prandaj kjo nënkupton një zbutje dhe jo fuqizim të idesë për autonominë e serbëve në Kosovë. E tëra kjo mbetet në nivel thuajse të paqartësisë totale, e tëra ende pritet të negociohet brenda diskutimeve mbi udhërrëfyesin e zbatimit të marrëveshjes.

Zëri i Amerikës: Si e shihni kërkesën për formalizmin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë?

Marko Prelec: Kjo është misterioze për mua, nuk e kuptoj se çfarë referimi është. Statusi i Kishës Ortodokse Serbe është tashmë i pranishëm në legjislacionin e Kosovës, dhe ka qenë që nga fillimi i pjesë përbërëse e procesit të (Martti) Ahtisarit, që ka çuar në pavarësinë e Kosovës. Prandaj nuk e di vërtetë se çfarë hapash të tjerë shtesë, nëse do të ketë ndonjë, priten nga ai nen.

Zëri i Amerikës: Për fund zoti Prelec nëse palët, hipotetikisht, nuk pajtohen dhe vendosin të refuzojnë marrëveshjen, me çfarë pasojash mund të përballen?

Marko Prelec: Kjo është vështirë të dihet. Mendoj se ka disa alarme që po ngrihen në medien serbe për hapa të skajshëm që Bashkimi Evropian mund të ndërmarrë dhe unë nuk e di se sa serioze është kjo gjë. Interpretimi im është që kjo është thjeshtë një përpjekje nga qeveria në Beograd për të përgatitur opinionin publik në Serbi për disa lëshime që duket se përndryshe do të ishin shumë jopopullore. Ajo që me shqetëson mua më shumë dhe mendoj se duhet të shqetësojë udhëheqësit e të dyja vendeve, është rritja e mundësisë dhe rreziku i mundshëm për trazira të dhunshme në veriun e Kosovës, nëse nuk ka një marrëveshje. Shkalla e integrimit të veriut të Kosovës në kuadrin institucional të Kosovës që u zhvillua pas marrëveshjes së Brukselit, është kthyer shumë prapa përgjatë vitit të kaluar, tani jemi thuajse në pikën fillestare dhe kjo nuk është situatë e qëndrueshme në asnjë variant. Unë isha në Kosovë dhe në atë pjesë të Kosovës gjithashtu në muajin janar dhe mendimi i përgjithshëm i banorëve vendas dhe mbikëqyrësve ndërkombëtarë ishte se veriu i Kosovës ishte shumë afër konfliktit të dhunshëm disa herë përgjatë vitit të kaluar, kështu që ky është shqetësimi im. Nëse nuk ka marrëveshje mendoj se rreziku atje mund të shfaqet sërish dhe nëse ka dhunë në atë pjesë mund të dëmtohet seriozisht e ardhmja e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber.

BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS.

You may also like