PRAGË – Parlamenti çek miraton ligjin për kufirin e çmimit të energjisë elektrike dhe gazit

by admin
Spread the love

PRAGË, 20 shtator /ATSH-DPA/- Parlamenti çek ka rënë dakord për vendosjen e një kufiri të çmimit të energjisë elektrike dhe gazit për familjet dhe konsumatorët e vegjël.

Pas aprovimit të Dhomës së Deputetëve, Senati ka miratuar edhe një amendament në ligjin për energjinë. Presidenti Milos Zeman më pas duhet të nënshkruajë amendamentin, një hap që shihet si një formalitet.

Sipas legjislacionit të rregulluar, familjet dhe bizneset e vogla si të vetëpunësuarit do të paguajnë ekuivalentin e një maksimumi prej 24 cent (0,23 dollarë) për kilovat orë energji elektrike dhe 12 cent për kilovat orë gaz natyror që nga nëntori.

Diferenca midis çmimit të tregut dhe kufirit të çmimit duhet t’u rimbursohet furnitorëve, me një kosto të vlerësuar prej më shumë se 4 miliardë euro.

Koalicioni pesëpartiak i kryesuar nga kryeministri Petr Fiala ishte nën presion pas një rritjeje të madhe të çmimeve të energjisë.

Rreth 70 000 banorë u mblodhën në “Sheshin Wenceslas” në Pragë në fillim të këtij muaji, duke kërkuar dorëheqjen e kabinetit dhe fundin e sanksioneve ndaj Rusisë, të vendosura pasi Moska sulmoi Ukrainën.

Në të gjithë Evropën, çmimet e energjisë elektrike dhe gazit po arrijnë nivele rekord pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Shumë vende evropiane varen nga gazi rus, por Moska i ka reduktuar në mënyrë drastike furnizimet për disa vende si një hakmarrje për sanksionet e vendosura për shkak të luftës ne Ukrainë. Kjo ka bërë që shumë vende të përpiqen të gjejnë alternativa të tjera, të shqetësuara nga mungesa e gazit dimrin e ardhshëm.//a.i/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like