PRAGË – Mbi 40 liderë në takimin e Komunitetit Politik Evropian për sigurinë dhe energjetikën

by admin
Spread the love

PRAGË, 6 tetor /ATSH-DPA/ – Më shumë se 40 liderë nga e gjithë Evropa priten sot në Pragë për të marrë pjesë në takimin përurues të Komunitetit Politik Evropian.

Qëllimi i forumit të ri është përmirësimi i bashkëpunimit midis vendeve evropiane përtej kufijve të Bashkimit Evropian, si Britania e Madhe, Turqia, vendet e Ballkanit Perëndimor dhe rajonit të Kaukazit.

Kryeministri ukrainas Denys Shmyhal do të marrë pjesë personalisht ndërsa presidenti Volodymyr Zelensky do të bashkohet me video.

Veç problemeve ekonomike, udhëheqësit do të mbajnë bisedime mbi ndryshimin e klimës, krizën energjetike dhe pushtimin rus të Ukrainës.

Diskutimet do të pasohen nga takime dypalëshe.

”Kryeministrja britanike Liz Truss do të diskutojë mbi migrimin me liderët e Francës dhe Holandës”, thuhet në një deklaratë nga Ministria e Jashtme britanike.

”Ndërsa përfaqësuesit e Armenisë dhe Azerbajxhanit pritet të marrin pjesë në takim, përpjekjet diplomatike po vazhdojnë për të lehtësuar një takim midis të dyve”, u tha gazetarëve në Bruksel një zyrtar i BE-së.

Dy ish-republikat sovjetike kanë qenë në një përplasje për dekada me radhë për kontrollin e territorit të Nagorni-Karabahut.

Deri në mes të shtatorit, një sulm nga Azerbajxhani la më shumë se 200 njerëz të vdekur nga të dyja palët.

Të premten, 27 shtetet e BE-së do të zhvillojnë një samit jozyrtar në Pragë.

Bisedimet, të cilave do t’i bashkohet sërish Zelensky me video, pritet të fokusohen në mbështetjen e BE-së për Ukrainën dhe pasojat e luftës së Rusisë në ekonominë e bllokut dhe tregun e energjisë.

Mbledhja e së premtes nuk pritet të japë rezultate konkrete, pasi shihet si përgatitje për një samit tjetër në Bruksel më vonë në tetor./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like