VARSHAVË, 9 gusht /ATSH-PAP/ – Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki ka sulmuar ashpër politikën e Gjermaninë duke thënë se nëse Evropa do të kishte adoptuar shpejtësinë gjermane të dërgimit të armëve në Ukrainë, lufta do të kishte përfunduar shumë kohë më parë me një fitore ruse.
Në një opinion të botuar në Euroactiv, Morawiecki argumenton se BE-ja duhet të mbajë politikën e saj të unanimitet sepse braktisja do të nënkuptonte lejimin e bllokut nën ndikimin e panevojshëm gjerman.
”Kjo do të kishte pasoja të tmerrshme për Ukrainën dhe pjesën tjetër të Evropës, sepse mund të inkurajonte imperializmin rus”, deklaroi Morawiecki.
Kryeministri polak theksoi ngadalësinë e dukshme të Gjermanisë në furnizimin me armë të Ukrainës si një shembull i asaj që ai e konsideronte si ndikim të keq të fqinjit perëndimor të Polonisë.
“Nëse e gjithë Evropa do të dërgonte armë në Ukrainë në të njëjtën shkallë dhe me të njëjtin ritëm ashtu si që bëri Gjermania – lufta do të kishte përfunduar shumë kohë më parë”, shkroi Morawiecki.
“Do të kishte përfunduar me fitoren absolute të Rusisë. Dhe Evropa do të ishte në prag të një lufte tjetër. Rusia, e nxitur edhe nga dobësia e kundërshtarëve të saj, do të përfitonte”, theksoi ai.
”Nëse e gjithë Evropa do të ndiqte shembullin e Gjermanisë, jo vetëm ‘Nord Stream 1’, por edhe ‘Nord Stream 2’ do të kishte filluar prej shumë muajsh. Varësia e Evropës nga gazi rus, i cili sot i shërben Putinit si mjet shantazhi kundër të gjithë kontinentit do të ishte pothuajse e pakthyeshme”, shtoi kryeministri polak.
”Nëse e gjithë Evropa e kishte pranuar propozimin e presidencës gjermane, në qershor 2021, për të mbajtur një samit BE-Rusi, atëherë kjo do të përfundonte me njohjen e Putinit si partner dhe heqjen e atyre sanksioneve që ishin i imponuar Rusisë pas vitit 2014”, thotë ai.
”Nëse ky propozim, i bllokuar në atë kohë nga Polonia, Lituania, Letonia dhe Estonia, do të ishte miratuar, atëherë Putini do të kishte fituar një garanci se BE-ja nuk do të ndërmerrte ndonjë veprim real në mbrojtje të integritetit territorial të Ukrainës”, përfundon kryeministri polak./ a.jor.