Politika në pushim, VMRO-DPMNE më vonë do të vendosë për protestat

by admin
Spread the love

Vetëm disa ditë pas protestave që pushtuan bulevardet kryesore në Shkup, si dhe pas konferencës ndërqeveritare politike në Bruksel, aktivitetet politike kanë pushuar pothuajse plotësisht.

Deputetë, ministra, funksionarë dhe eksponentë të tjerë politik shfrytëzojnë gushtin për pushime.

Në pushim është edhe Kuvendi. Deputetët gjatë gjithë muajit gusht nuk do të kenë seanca plenare dhe nuk do të kenë seanca të komisioneve, ashtu siç ndodh zakonisht vit për vit. Megjithatë, në punën e tyre të zakonshme pritet të kthehen në fillim të muajit shtator. Edhe pse nuk ka për momentin të organizuara protesta ashtu siç ishim mësuar të shohim gjatë gjithë muajit korrik para Kuvendit, mbetet akoma këtu i vendosur ky gardh policor, njofton Alsat.

Nuk dihet nëse VMRO-DPMNE-ja do të rikthejë thirrjen ndaj qytetarëve për t’u rikthyer në rrugë. Protesta ishte një nga format që kjo parti përdori si presion kundër pushtetit, për të kërkuar dorëheqje dhe zgjedhje të reja, si dhe për të kundërshtuar përmbajtjen e kornizës negociuese me BE-në. Të pyetur nëse protestat do të vazhdojnë pas pushimeve, nga partia e Mickoskit përgjigjen:

“Këtë do ta mësojmë shumë shpejt”, tha Dimçe Arsovski nga VMRO-DPMNE-së.

Hapat e ardhshëm pritet t’i vendosin në mbledhjen e radhës të Kryesisë Ekzekutive, të cilën e kanë në agjendë.

Në po të njëjtën mbledhje, kjo parti do të diskutojë edhe për referendumin e paralajmëruar, për të definuar pyetjen konkrete të referendumit dhe detajet tjera të nismës.

Lexo lajme interesante

You may also like