Policia e Pakistanit bastis shtëpinë e ish-kryeministrit Imran Khan teksa paraqitej në gjykatë (fotot)

by admin
Spread the love

Ish-kryeministri i Pakistanit Imran Khan u paraqit sot sërish në gjykatë duke zbatuar urdhrat e gjyqësorit pas një përballjeje të ashpër të mbështetësve të tij me forcat e policisë.

Rrjeti vendas Geo TV tha se gjykata në Islamabad anuloi mandatin e arrestit pas paraqitjes së tij.

Khan, kryeministër nga viti 2018 deri në 2022, përballet me një seri sfidash ligjore, duke përfshirë dhe ato të shmangjes së arrestimit kësaj të marte, kur mbështetësit e tij u përleshën me policinë, siç ndodhi përsëri sot.

Ndihmësi i Khan, Fawad Chaudhry tha për agjencinë Reuters se paraqitja e ish-kryeministrit u regjistrua në gjykatë dhe ai u kthye në shtëpi në rajonin Lahore.

Automjeti i Khan mbërriti në kompleksin gjyqësor në Islamabad mes tensioneve të mbështetësve me policinë. Vetë Khan nuk arriti të hynte fizikisht në gjykatë dhe rrjedhimisht u lejua të nënshkruante paraqitjen nga makina e tij.

Më herët sot, policia e Pakistanit kishte hyrë në pronën e ish-kryeministrit, thanë përfaqësues të partisë së tij.

Khan ka drejtuar protesta të gjera kombëtare që prej largimit nga posti vitin e shkuar me një mocion mosbesimi.

Gjatë fushatës elektorale të rikandidimit në nëntor, Khan iu bë një atentat ku mbeti i plagosur. Në një intervistë të mëpasshme ai tha se jeta e tij ishte në rrezik pasi kundërshtarët politikë dhe ushtria duan ta ndalojnë të kandidojë në zgjedhjet e këtij viti.

Që prej deklaratës dhe fushatës së rikandidimit për t’u kthyer në post, Khan është përfshirë  në dhjetra padi të ngritura ndaj tij, çka detyronte paraqitjen e tij te autoritetet.

Rasti aktual në Islamabad ka të bëjë me akuzat e korrupsionit për marrje dhuratash gjatë kohës që ishte kryeministër, i ngritur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Pakistan.

Khan refuzon akuzat.