Po shkëlqen me fanellën e Gjilanit, Shend Kelmendi zbulon sekretin – flet për objektivat

by admin
Spread the love

Futbollisti Shend Kelmendi po shkëlqen me fanellën e skuadrës së Gjilanit.

Kelmendi, i cili po e shpërblen besimin e trajnerit, Ismet Munishi në një intervistë për Insportin ka treguar sekretin e paraqitjes fantastike të tij.

“Sekreti i paraqitjes mund të jetë vetëm puna. Puna është garantues i sukesit tuaj. Jam duke punuar intensivisht për të qenë në ritëm dhe për të vazhduar me paraqitje të mira.

 “Normalisht se ndër faktorët kryesor se është edhe ushqimi dhe mënyra e rigjenerimit. Përkujdesem mjaft shumë për këtë pjesë dhe kjo më ka ndihmuar mjaft shumë” – tha Kelmendi.

Tutje, futbollisti 27 vjeçar tha se e ka arsyetuar besimin e trajnerit, duke garantuar kështu angazhim dhe përkushtim.

“Kemi punuar shumë në dy faza përgatitore dhe jo vetëm. Angazhimi dhe kontributi im gjithmonë është në nivel të duhur, pasi që unë dua ta ndihmoj ekipin për aq sa më jepet mundësi. Besoj që e kam arsyetuar besimin e trajnerit Munishi dhe garantoj që përkushtimi dhe angazhimi do jetë edhe më i lartë pasi që ndodhem në formë të mirë dhe dua ta shfrytëzoj këtë moment”.

Futbollisti i Gjilanit kishte qenë pjesë e Akademisë së KF Prishtinës, aty ku kishte marrë hapat e parë të karrierës së tij. Ndërsa, ka milituar edhe në disa skuadra tjera si Llapi, Flamurtari etj, dhe ka luajtur edhe jashtë Kosovës, ku vlen të ceket aventura e tij në klubin korçar, KF Skënderbeu.

I pyetur se cilat janë ndjesitë kur kundërshtarë ka ish- skuadrat, Kelmendi tha se ka respekt për klubet, por bën maksimumin që ta ndihmojë ekipin.

“Unë punën time mundohem ta kryej maksimalisht dhe me përgjegjësi të plotë. Kam rrespekt për klubet ku kam luajtur, por ajo është e shkuar dhe unë shoh të ardhmen, ndaj do ta bëj maksimumin e duhur që t’i ndihmoj ekipit drejt realizimit të objektivave që ka para vetës”.

Tutje, Kelmendi tregoi se kontrata me klubin i skadon në fund të këtij edicioni, por është i fokusuar në punë dhe në ndeshjet e radhës, duke zbuluar se cilat janë objektivat e tij me klubin.

“Realisht kontrata me Gjilanin më skadon në fund të këtij edicioni, por nuk e kam mendjen aty. Jam tërësisht i fokusuar në punë dhe ndeshjet e radhës që na presin. Gjilani më është bërë shtëpia ime e dytë, ndaj unë do të jap gjithçka për këtë klub, po aq sa të kem mundësinë”.

“Objektivat e klubit janë të qarta dhe jemi ende në garë për t’i arritur ato. Shendin do ta shihni të fokusuar maksimalisht në ndeshjet e radhës” – përfundoi Shend Kelmendi intervistën për Insportin.

Në ndeshjen e fundit ndaj Llapit, në minutën (90+) Kelmendi u gjend mirë në zonë dhe barazoi shifrat në 1-1, duke ia dhuruar një pikë ekipit të tij. Në nëntë paraqitje me klubin, Shendi ka shënuar 5 herë.

Ndryshe, pas barazimit ndaj Llapit, Gjilani e sheh veten në pozitën e dytë me 48 pikë apo tri më pak se Ballkani që mban pozitën e parë.

/Insporti.com

You may also like