Po largohem, por po le pas një pjesë të zemrës time – Shqip

by admin
Spread the love

Është prezantuar këtë të hënë trajneri i ri i Kombëtares shqiptare. Trajneri brazilian Sylvio Mendes Campos Júnior, i njohur si Silvinjo u prezantua gjatë një konference të përbashkët shtypi me presidentin e FSHF, Armand Duka dhe ish-trajnerin Edoardo Reja. Në fjalën e tij, Duka falenderoi Rejan për kontributin e tij në këto 3 vjet e gjysmë si trajner i kombëtares shqiptare.

“Sot jemi në këtë komunikim publik për të mbyllur një etapë nën drejtimin e trajnerit Reja dhe për të filluar me një staf të ri për ekipin tonë kombëtar, me objektiva të qarta. Doja ta falenderoja Rejan për kontributin e tij, për rezultatet e arritura, për gjithçka ka dhënë në këto 3 vite e gjysmë në Shqipëri… Në pikëpamjet humane, Edy Reja ka qenë një nga bashkëpunëtorët më të mirë të FSHF. Ky nuk është vetëm një takim formal, por do të vazhdojnë dhe komunikimin mes stafit të ri dhe të vjetër, për të përçuar mesazhet e domosdoshme që do t’i duhet stafit të ri”.

Vetë Reja tha se largohej krenar nga Shqipëria dhe nënvizoi rezultatet e arritura në këto vite.

“Jam i emocionuar. Çdo rrugëtim ka një fund, por nga ana e punës dhe ana njerëzore, bashkëpunimi që kam pasur, do doja të nënvizoja rezultatet që kemi arritur, që nuk janë për t’u lënë mënjanë. Kemi bërë të luajnë për herë të parë rreth 40 lojtarë. Kemi marrë rezultate fituese. Kemi qenë shumë afër për t’u kualifikuar në botëror dhe për 1 pikë mund edhe të kishim arritur të kalonim në eliminatoret për në Botëror. Por edhe periudhën e fundit, gjatë pandemisë, nuk kam pasur mundësinë të paraqes në fushë skuadrën më të mirë. Kam ardhur dhe kam gjetur një skuadër që nuk kishte as krye as fund. Çdo gjë që kam bërë për federatën, ka qenë çdo gjë serioze dhe profesionale. Po largohem, por po le pas një pjesë të zemrës time. Dua të falenderoj nga zemra Presidentin Duka që më dha këtë mundësi”, tha mes të tjerash Reja./tvklan.al

You may also like