po blen F-35 – Shqip

by admin
Spread the love

Finlanda ka rënë dakord të blejë dhjetëra avionë luftarakë amerikanë F-35, duke riafirmuar lidhjet e saj të ngushta me NATO-n në një kohë tensioni midis Perëndimit dhe Rusisë në Evropë.

Vendi i Evropës veriore, i cili kufizohet me Rusinë, ishte neutral gjatë Luftës së Ftohtë dhe të premten nënshkroi një kontratë për blerjen e 64 avionëve të prodhuar nga Lockheed Martin, me vlerë 9.4 miliardë dollarë amerikanë.

Edhe pse avionët nuk do të jenë në përdorim për disa vite të tjera, sipas Finlandës, deri në vitin 2027, marrëveshja tregon për një bashkëpunim më të fortë midis Finlandës dhe aleancës ushtarake perëndimore, transmeton Reuters.

Forcimi i sistemit të mbrojtjes

Qeveria në Helsinki njoftoi se vendimi për blerjen e avionëve amerikanë, i shpallur në dhjetor, është pjesë e një plani afatgjatë për të forcuar sistemin e mbrojtjes së vendit dhe jo një përgjigje ndaj mosmarrëveshjeve aktuale midis Perëndimit dhe Rusisë për Ukrainën.

Rusia ka dërguar më shumë se 100,000 trupa pranë kufirit me Ukrainën dhe ka bërë që vendet perëndimore të kenë frikë nga një sulm.

Moska ka mohuar planifikimin e një pushtimi, por thotë se mund të marrë disa masa “ushtarake-teknike” nëse kërkesat e saj nuk plotësohen. Midis tyre është premtimi se NATO nuk do të pranojë anëtarë të rinj dhe se forcat perëndimore do të tërhiqen nga Evropa Lindore.

Kryeministrja finlandeze Sanna Marin tha në janar se vendi aktualisht nuk planifikon të anëtarësohet në NATO, por ruan të drejtën. /tesheshi.com/

You may also like