“Plumbat binin mbi ne si shiu”

by admin
Spread the love

Rojet kufitare saudite qëlluan “me një shi plumbash” mbi emigrantët etiopianë që përpiqeshin të kalonin në mbretërinë e Gjirit nga Jemeni, duke vrarë qindra që nga viti i kaluar, tha Human Rights Watch në një raport të hënën.

Akuzat, të përshkruara si “të pabaza” nga një burim i qeverisë saudite, tregojnë për një përshkallëzim të konsiderueshëm të abuzimeve përgjatë rrugës së rrezikshme nga Briri i Afrikës në Arabinë Saudite, ku jetojnë dhe punojnë qindra-mijëra etiopianë.

Një grua 20-vjeçare nga rajoni Oromia i Etiopisë, e intervistuar nga HRW, tha se rojet kufitare saudite hapën zjarr ndaj një grupi migrantësh që sapo i kishin liruar nga paraburgimi.

“Plumbat binin mbi ne si shi. Kur më kujtohet, qaj”, tha ajo.

“Pashë një djalë që thërriste për ndihmë, i humbi të dy këmbët. Ai bërtiste: “A po më lë këtu? Të lutem mos më lër”. Ne nuk mund ta ndihmonim sepse po vraponim për jetën tonë.”

Kërkuesja e HRW, Nadia Hardman, tha se “zyrtarët sauditë po vrasin qindra emigrantë dhe azilkërkues në këtë zonë të largët kufitare jashtë syve të pjesës tjetër të botës”, thuhet në një deklaratë.

“Shpenzimi i miliarda dollarëve për blerjen e golfit profesional, klubeve të futbollit dhe ngjarjeve të mëdha argëtuese për të përmirësuar imazhin saudit nuk duhet të largojë vëmendjen nga këto krime të tmerrshme”, tha ajo.

Shtetet e Bashkuara të hënën shprehën alarmin mbi raportin dhe kërkuan një hetim të plotë.

“Ne kemi ngritur shqetësimet tona për këto akuza me qeverinë saudite,” tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit. “U bëjmë thirrje autoriteteve saudite të ndërmarrin një hetim të plotë dhe transparent dhe gjithashtu të përmbushin detyrimet e tyre sipas ligjit ndërkombëtar.”

You may also like