Platformat e pagesave për e-commerce u rritën me 19%

by admin
Spread the love

Përdorimi i terminaleve virtuale për pranimin e pagesave online po shënon një rritje të ngadaltë gjatë këtij viti.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të muajit shtator numri i terminaleve POS virtuale arriti në 245, në rritje me 19% që nga fillimi i vitit.

Terminalet POS virtuale mundësojnë pranimin e pagesave elektronike, zakonisht me karta, për të lehtësuar kryerjen e pagesave nëpërmjet faqeve të internetit.

Ky produkt është i lidhur sidomos me platformat e tregtisë elektronike të bizneseve, megjithatë mund të përdoret edhe nga institucionet për të mundësuar pranimin e pagesave online për shërbimet publike.

Në përgjithësi, vlerësohet se zhvillimi i tregtisë elektronike në Shqipëri është ende i ngadaltë krahasuar me tregjet më të zhvilluara.

Sipas statistikave të INSTAT, në vitin 2023 vetëm 14.8% e ndërmarrjeve në Shqipëri kanë shitur produkte ose shërbime nëpërmjet faqes së internetit, aplikacioneve të dedikuara, faqeve të internetit e-commerce dhe aplikacioneve të përdorura nga ndërmarrje të ndryshme për

tregti të produkteve. Që prej vitit 2015, kur INSTAT nisi të publikojë për herë të parë të dhëna për këtë tregues, ky tregues është rritur me vetëm katër pikë përqindje.

Në përgjithësi, sërish transaksionet e tregtisë elektronike përgjithësisht dominohen nga pagesat cash në dorëzim.

Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, aktualisht vetëm katër nga 11 banka tregtare në vend e ofrojnë shërbimin e e-commerce (shërbimi i lidhur me POS-et virtuale).

>

Numri ende shumë i vogël i POS-eve virtuale dëshmon se tregu është i nënzhvilluar. Sipas të dhënave nga INSTAT, për vitin 2023 vepronin afërsisht 130 mijë biznese aktive, pa përfshirë këtu fermerët. Ndërsa numri i POS-eve virtuale është vetëm 245, ose afërsisht një për 530 biznese.

Pranimi i pagesave online është ende shumë i varfër edhe për shërbimet publike. Pas sulmit kibernetik të vitit 2022, platforma e-albania nuk ofron më pagesa me kartë bankare. Vetëm këtë vit, e-albania ka arritur të integrojë tre banka tregtare në platformën e këmbimit të informacionit për pranimin e pagesave online, sipas një mënyre të re, që shmang ndërveprimin direkt mes sistemeve të saj dhe bankave.

Megjithatë, numri i shërbimeve që mund të paguhen online në ealbania është ende shumë i vogël. Një nga institucionet më të rëndëssihme të ofrimit të shërbimeve publike, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, ende nuk mundëson pagesa online për shërbimet e saj, nëpërmjet e-albania.

Hovi i turizmit në vitet e fundit ka zgjeruar interesin e biznesit për të pranuar pagesa elektronike. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në gjashtë muajt e parë të vitit u regjistruan gjithsej rreth 8.85 milionë pagesa me kartë në terminalet elektronike të shitjes. Numri i pagesave me kartë është rritur me 36% krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar.

Numri i terminaleve POS gjithsej në mesin e 2024 ka arritur në pothuajse 21 800, me një rritje prej 13.6% që nga fillimi i vitit.

Përveç termimaleve fizike POS, zhvillimi i turizmit mund të ketë sjellë interes edhe për POS-et virtuale, sidomos në biznesin e hotelerisë, për të mundësuar pranimin e pagesave elektronike në distancë.

Burimi: Banka e Shqipërisë

Monitor sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

You may also like