Përplasjet me FRPD, Këlliçi: Bashës i ofrova dorëheqjen 1 muaj më parë dhe nuk e pranoi, ja pse iu bashkova “Foltores”

by admin
Spread the love

Kryetari në detyrë i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, deputeti Belind Këlliçi ka komentuar situatën brenda PD-së, ndërsa ka shpërthyer në kritika ndaj kryedemokratit Lulzim Basha. Teksa ishte i ftuar në një studio televizive, zoti Këlliçi ka zbuluar se para një muaji e gjysmë i ka ofruar Lulzim Bashës dorëheqjen e tij nga FRPD, por sipas tij, ai nuk e ka pranuar.

“Dorëheqjen ia kam ofruar kryetarit të partisë para një muaji e gjysmë në zyrën e tij dhe nuk e ka pranuar. Unë nuk e kam problem dal e jap deri nesër dorëheqjen. Kur ndodhi peticioni i të rinjve e kam dorëzuar në tavolinë”, deklaroi ai.

Më tej zoti Këlliçi theksoi se zgjedhjet në Forumin Rinor të Partisë Demokratike ishin shtyrë për këtë shtator, për shkak se një vit më parë nuk u arrit organizimi i tyre si pasojë e pandemisë, e cila ndalonte grumbullimet.

“Në 2020 nuk mund të bënim zgjedhje fair për shkak se ishte kohë pandemie dhe ndaloheshin grumbullimet. E kemi diskutuar dhe kishim gjykuar që në shtator të këtij viti unë të paraqisja dorëheqjen dhe sekretari i forumit rinor të ndiqte zgjedhjet në çdo strukturë. Do ta shihni dhe në ditët në vijim. Unë e kam mbyllur ciklin tim në forumin rinor”, u shpreh ai.

Ndërkohë, Këlliçi zbuloi se ka marrë vendimin për të shkuar në Foltoren e Berishës pasi ka marrë ftesë nga të rinjtë e forumit rinor që kanë ndjekur 13 Foltoret në rrethe. Madje, Këlliçi u shpreh se Basha ka qenë përfituesi më i madh i pushtetit të demokratëve dhe sot nuk duhet të heqë paralele mes Berishës dhe Ramës.

“Ka pasur një peticion nga të rinjtë e forumit që kërkuan që vendimi i Bashës për largimin e Berishës të ishte nul. Unë kam pasur diskutime të brendshme. Në 13 Foltore, kryetarët e forumeve kanë qenë pjesë e tyre. Gjykoj që në çdo krizë, duhet të vijë zgjidhja në institucione. Vihet shenja e barazisë mes Berishës dhe Ramës. Unë gjykoj që çdo forcë politike që nuk respekton historinë e saj nuk ka identitet. Basha ka qenë përfituesi më i madh i pushtetit të demokratëve dhe sot vë shenjë barazie mes Berishës dhe Ramës”, nënvizoi Këlliçi.

You may also like